Nga BUJAR QESJA

Titulli është pjesa më e vështirë e shkrimit. Më kujtohet një kolegu im, këtu e 50-të vite të shkuara. Pasi ishte lodhur mbi materialin, dilte në koridoret e redaksisë dhe kërkonte të ndihmohesh për t’i vendosur kokën shkrimit. Titulli është sintezë, është përmbledhje, për të ndihmuar lexuesin mbi atë që ke shkruar. Kështu më ndodh edhe në rastin e një djali të rrallë, ku e ëma Myhyrije e lindi në Durrës me 24 gusht 1954.

Ky djalë quhet Luan Adem Jaupi. Biri i një detari të rrallë, ujk i vërtetë deti, kapiten i sprovuar, ku shkroi trimërinë dhe heroizmin e detarisë shqiptare. Ishte 18 tetori i vitit 1976. Për faj të autoriteteve rumune, anija simbol e Fllotës Tregëtare Shqiptare “Mati”, çahet në dysh në ujrat e portit rumun të Kostancës. Kjo ngjarje me ngarkesë historike, është përshkruar me aftësi dhe dashuri në librin SOS, nga djali i Ademit-Luan Jaupi.

Për t’a bërë tërheqës shkrimin, zakonisht përdorim edhe “truke” profesionale, por që e lehtësojnë vëmëndjen e lexuesit. Por jam i sigurtë dhe këtë po e shpreh me zemrën në dorë, që në rastin e Luan Jaupit, jam në vështirësi për ta prezantuar, apo paraqitur ashtu siç është. Po pse, ku qendron gazetar vështirësia?

Qëndron së pari në thjeshtësinë dhe modestinë e rrallë të Luanit. Nuk të len përshtypjen se jeta e tij është mbushur me dukuri, ngjarje, situata që nuk i ngjajnë anijeve të mbytura, por janë vëmëndje hipnotizuese i një njeriu, që përkushtimin dhe vetmohimin i ka të tejskajshëm. Së dyti mund të shkruash shumë dhe nuk orjentohesh, se cila është më kryesore dhe cila jo. Cila është më e rëndësishme dhe cila jo. Cila është më e vlefshme dhe cila jo. Cila i peshon historisë më shumë dhe cila jo.

Dilemat që jam vënë përballë jetëshkrimit në miniaturë të jetës së Luan Jaupit, mund të jenë nga më të rrallat, ti kem hasur ndër mijra raste të tjera. Një mesoburrë, pa u vënë re, teksa ndodhet në të shumtën e rasteve mbi dyrrotakëshin e tij, është në lëvizje. Unë që ia di huqet, e kuptoj që është në kërkim të miqësisë së çmuar të shokëve, në mbështetje të planeve për të lëvizuar dhe kqyrur qytete dhe “vrima” të tjera hulumtimi, për të gjetur diçka të rrallë dhe me vlera. Ecën, ndalon, përshëndet. Duhet të mos harrojmë tipar kryesor: buzëqeshjen. Kjo është simpfonia e muzikës shpirtërore të tij.

Luan Jaupi është zotnia i madh (këtë nuk ta thotë as ta jep të kuptosh), i Durrësit. Dhe të jesh zotni i madh i qytetit tënd, nuk është e nevojshme të emërohesh dhe të zotërosh ofiqe. Ka zgjedhur në jetë ky Jaup i madh, por shumë i thjeshtë, të bëj atë që ndjen. Është ndjesi me vlera të rralla qytetarie, e përshtatshme për histori.

Mendimet më vijnë të ngarkuara, e rradhët presin rastin që t’i çfaq. Më duken si rradhët e dëndura popullore në vitet 80-të, ku ndjeheshin mungesat. Nga ta filloj mor Luan Jaupi! E ke vënë në vështirësi lapsin e profesionistit. Kur erdha me Miri Hotin dhe Ilir Ngresin në shtëpinë tënde, jemi mahnitur.

Megjithëse zanati i jonë është fantazia, por as e kisha menduar kështu. Mbeta gojëhapur. Krenaria, respekti dhe mirënjohja për ty, m’u shumëfishua. E rrallë aq sa lartëson cilësitë e njeriut të aftë, të mënçur. Investim unikal qytetarie. Ajo që pamë, në atë që ke bërë, është histori e vlefshme për ta ruajtur dhe mbrojtur si nëna fëmijën.

Adem Jaupi! Pasionant për t’u dhënë pas gjërave të veçanta dhe për t’i ruajtur. Duke drejtuar shumicën e anijeve të Fllotës Tregëtare Detare, pas studimeve të kryera në Baku të Azerbaixhanit, harta e lëvizjeve ishte e gjërë. Kur qendronte në Japoni, Kinë, Vietnam, Kubë, Ceilon, Afrika e Jugut, vëndet arabe, vendet balltike etj. jepej pas relikeve të ndryshme.

I konservonte dhe sot një pjesë e tyre është në kujdesjen e të birit. Çifti Adem dhe Myhyrije Jaupi, e shtuan familjen e tyre me tre djem: Luani, Ariani, Fatmiri dhe vajza Xhuljetën. Por shansi i ofrohet Luanit, për të trashëguar dhe ndërtuar nga muzetë më fantastike, brenda sipërfaqes së banesës.

Çdokush e çfrytëzon hapsirën e shtëpisë, për të krijuar komoditetin e duhur të jetesës. Ndërsa me Luanin, ndodh e veçanta. Hapësirat ia dhuron muzeut të tij origjinal. Si profesionist e ka ndarë në “parcela” të vogla, ku çfarë nuk ekspozon.

Nga koleksionet e pullave shqiptare dhe të huaja, nga aparatet fotografrike, radiot, magnetofonët, gramafonët, enë bakri, sënduqe, ora xhepi, ora muri, vegla muzikore, piktura, disqe, çakmakë, televizorë, gurë të çmuar, monedha metalike dhe letre nga shumë vënde të botës, libra, penë, stilograf, boj, shishe me pije, letër, makina shkrimi, qelqurina, fotografi, skulpura, vizatime, hekur për hekurosje, guacka, gurë dekorativ, korale, pasqyra, armë, thika, shpata, syze, argjendari, zarë, shah, tabela të ndryshme lojrash, gërshërë, orendi guzhine, peshore, matëse, helmeta, paisje luftarake ushtrie, pagure, etj.

Vëmëndja e Luan Jaupit, është magnet i fuqishëm që thith ç’të shikoj, ç’të mundet me dëshirën dhe qëllimin e vetëm, që ato të përbëjnë vlerë dhe të shikohen si relike të rralla. Janë 45 lloje aparatesh fotografike, duke nisur nga aprati i parë marka “Fed-3”, e vazhduar me “Pentagon”, “Pentaks”, “Praktika”, “Nikon”, “Kodak”, “Agfa” etj. Aparate shumë të çmuara. Është histori më vete, ku e ndjen dhe e prek, se si është transformuar kjo shpikje e madhe e njerëzimit, deri tek dixhitalizimi i pamjeve.

Abetarja origjinale e përgatitur nga Kostandin Kristoforidhi dhe e shtypur në Kostandinapojë në vitin 1872, është nga më të çmuarat. Biblioteka sa nuk po shëmbet nga pesha e rëndë, ku janë strehuar botime të Kuranit dhe Biblës në fundin e viteve 1700 dhe fillimin e viteve 1800. Çakmakun e mbretit Zog, e trashëgon nga gjyshi. Ishte nga oficerët e lartë të Mbretërisë. Po kështu edhe pasqyrën e mbretit. Adem Jaupi duke ditur anglisht, italisht, frëngjisht, serbo kroatisht, rusisht etj. kuptonte mirë vlerat e objekteve, veçanërisht ato të blera në vende të ndryshme të botës. Dhe i ruante. Fat për Luanin që i trashëgon, por edhe fat edhe për ne, që i shikojmë dhe çuditemi me to.

Kitarja e Vaçe Zelës është e vendosur aty. Sa bukur! Sa kujtim i rrallë! Luani të tregon, se kjo kitare është blerë në Kinë në mesin e viteve 70-të. Vaçja e zotëronte me finesë, duke kombinuar tingullin me zërin e saj të rrallë dhe hutues.

Ngjashmëria interesante i emrit Luan me shenjën e oroskopit Luan, lindja në muajin gusht. Dy herë ky Luan, u kthye në luan i vërtetë, ku thithte në prefeksion “gjahun” e rrallë dhe të shijshëm, siç janë mbi 15.000 reliket e rralla. Nder vetes, por nder edhe Durrësit tënd. Ashtu si kultura 3000 vjeçare, Durrësi tashmë ka edhe një Luan Jaupi virtuozin, çudibërësin e vetëm, për të ndërtuar këtë gradaçelë vlerash, këtë vitrinë që të luan mentë e kokës, duke patur brenda histori, histori dhe vetëm histori.

Luani nuk lodhet së rrëfyeri. Më duket si magjistar, pasi nuk do ta besoja se çfar fliste, nëse s’do mund ta shikoja me sy, e ta prekja me dorë. Duhet të vrapojmë ta ndihmojmë, për të mos e lënë vetëm si deri tash dhe t’ia plotësojmë kërkesat. Vërtet është pasioni i një njeriu, por rëndësia e punës dhe hobit të tij, i kalojnë kufijtë e shtëpisë sado e gjërë që të jetë. Janë me qindra objekte që flejnë diku dhe s’kanë hapësirë për t’u parë. Janë me mijra negativë filmash, që ndonëse janë sistemuar, por koha mund t’i dëmtojë. Duhen larë e stampuar, pse jo të botohen edhe albume, për të dalë në dritë thesaret që ruan ky njeri vetmohues.

Durrësi nuk ka qenë ai është sot. Dhe këtë e ruan në foto Luani. Nuk jetojnë mjaft nga personalitetet e qytetit. Por Luani i mban të gjallë në arkivën e tij. Si Ashik Keribi, ecën e ecën pa u lodhur në Durrës, rrethinat e tij dhe në të gjithë vëndin. Fotografon, fikson, qëmton, mbledh, ruan, bëhet copash, për të mos u lodhur në atë që kryen dhe floriri i punës së tij, shton dita ditës karatet e vlerave. Por nuk është ky qëllimi i vetëm i shkrimit, sesa të vazhdojmë të tregojmë, e të tregojmë për mrekullinë që ka krijuar e po krijon Luan Jaupi.

Fantazia e këtij njeriu tërësisht të veçantë, por që nuk e çfaq nëse nuk ia lexon shpirtin, është marramendëse. Që të bësh histori me foto, lipsen këllqe. Pra duhet të lëvizësh. Çfarëdo ka ndodhur dhe ndodh në Durrës, është brenda aparatit fotografik të Luan Jaupit. Me këtë punë gjigande, është kthyer në monument i gjallë kulture dhe zhvillimi, duke dhënë shembullin e veçantë të qytetarisë dhe vizionarit.

Kur e shikon kaq të thjeshtë dhe të ëmbël këtë Luan Jaupi, kaq modest dhe të qetë, ku edhe lodhjen di ta fshehë, befasohesh me atë ç’ka mundur të bëj deri tash. Fati e solli të lidhë jetën me Dhuratën, nga dera e njohur e Adem Agasit. Dhe Dhurata i dhuroi dy djem të bukur si vetë drita: Klodianin dhe Alenin. Klodi u shtua me një vajzë të hijshme Megan. E pyeta thjesht për ta vendosur në shkrim, por pa dashur i krijova ligështim.

Ishte 4 gushti i vitit 2010. Aksidenti tragjik në një nga rrugët e qytetit, i mori jetën Klodit, duke e shkëputur nga gjiri i familjes dhe Megan-it. Oh zemra e nënës Klodian! Por edhe baba Luani, nuk të harron! Ja Klod i dashur, me 17 shkurt Megan mbush 15 vjeç. Dhurata me Luanin, do të shkojnë ta urojnë në Peskara. Një buqetë me lule sigurisht do të ketë edhe në emrin tënd. Do t’i puthin të dyja faqet dhe gëzimi do të ndahet në pjesë, disa prej të cilave në formën e kujtesës.

Pas kësaj, të ndalemi tek i vetmi djalë Aleni, që Zot shyqyr është me Emën 10 vjeçare dhe Lan Klod Jaupin 36 muajsh. Aleni është pjesë amerikane e familjes Jaupi në Nju Xhersi. Luani mbahet i fortë, kështu e ka kthyer ky pasion, kjo dhunti, ky përkushtim, kjo moslodhje, i bindur se po kryen nga ato punë, që historia e vlerave të sendeve, e ka kthyer dhe vetë Luan Jaupin në histori.

Çdo tregues i kësaj pune titanike, meriton vëmëndje të veçantë, shkrim të veçantë. Por nuk mundesh. Është pak edhe të botosh një libër, për këtë muze të rrallë që ka ngritur dhe trashiguar Luani. Rri e vështroj foton aq të bukur, me koncept të veçantë artistik “Pilivesa mbi pishë”. Në konkursin ndërkombëtar zhvilluar në Moskë në vitin 2008, fitoi çmimin e tretë, ku nuk u dha çmim i parë.

Përkushtimi ndaj gjuhës esperanto. E nisi i vetëm që në vitin 1970. Botoi edhe një libër. Deviza e esperantos mbetet: “Një tokë, një gjuhë, një zot”. Dhe ky Luan, me ndihmesë të jashtëzakonshme në unifikimin e një gjuhe në botë, duke qenë delegat i përhershëm në Qendrën Ndërkombëtare të Esperantos në Hollandë (UEA), me vetë muzeun e ngritur është në mirkuptim me botën. Reliket e vendosura në rafte, janë nga kjo botë e madhe dhe vetme.

Ku të vazhdojmë mor Luan Jaupi! E dija, se do të kisha shumë ngarkesë po të shkruaja për ty, por jo deri këtu. Po të qendroj ende tek fotografia, deomos më takon të nënvizoj të paktën, se të është dhënë Çmimi “Kel Marubi” në vitin 2009, Çmimi i Parë publik nga Akademia Europiane e Artit në vitin 2014, e do të më duhej të vazhdoja edhe më gjatë.

Në fushën e librave, krahas “Historiku i Esperantos në Shqipëri”, botove i vetëm gazetën “Durrës Biznes” dhe tash së fundi librin “Sos”, për heroizmin e ekuipazhit të anijes “Mati” , të drejtuar nga Kapiten Adem Jaupi. Prekëse është eksponati, që i ke kushtuar këtij zotnie të detarisë. Syzet e tij, bastuni, ora, kapelja, maketi i anijes “Tirana”, foto nga studimet në Baku. Më lanë pa frymë, orët dhe orenditë e rralla nga Mbretëria e Savojës, piktura e viti 1925 e realizuar nga kompozitori i njohur Pjetër Dungu, fotoja e rrallë e Fan Nolit, fjalori stërmadh Frëngjisht-italisht shumë i vjetër. Nuk e di, nuk e di, se si mund të kaloj në vështrime të tjera!

Sado që të përplas kryet mbi tastjerë, nuk do të mund të prekë plotësisht punën tënde 50-të vjeçare. Të gjitha reliket që ke grumbulluar, më ngjasojnë me një orkestër gjigande, por gjigande ama, ku t’i je dirigjenti i florinjtë i tyre. Dhe ky dirigjent, do të ndjehet i lumtur dhe kur një ditë të mos jetë me frymë, kur kjo orkestër të vazhdojë të luajë me historinë më të përkryer, të ruajtur nga ty Luan Jaupi, durrsaku ynë ëndërrimtar.

Ecim. Kemi orë që kemi hyrë në këtë muze dhe kur do të dalim. Më tërheqin vëmëndjen vlerësimet që të janë bërë. “Fletë Mirënjohje” nga Bashkia Durrës, “Fletë Mirënjohje” nga Qendra Kulturore e Fëmijve, Çmimi publik për Artet Pamore, “Ambasador për Paqen”. Janë shumë. Shkrimi shton rradhë dhe kërkoj mirëkuptimin me lexuesin.

2007 -2019. Diferenca 12 vite. Çfarë është kjo? Tjetër betejë fituese e jotja me historinë. I bëre nder të madh kulturës dhe artit të Durrësit. Edhe këtu bëre mrekulli krijuese dhe përhapës vlerash. Punove me pasion të madh, të pamatë me arkivën e shpartalluar të historisë së Tetarit “A. Moisiu”. Paçka, se nuk u tha asnjë fjalë për ty në atë 70-të vjetor të themelimit të tempullit artistik tonin, por ajo çka bëre dhe çfare le pas jo vetëm nuk tronditet, por s’ka gjasa as të plasaritet.

Derë më derë, foto pas foto, lodhje pas lodhjes, kalove në një odise rraskapitjeje, sa zor se mund ta bënte dikush tjetër. Krijove dosje të plota, ku vetëm pas kësaj, i bërë të ndjehen të qetë në banesën e përjetëshme korifejtë e teatrit. Eh çfarë pune! Kalove deri në dixhitalizimin, skedimin e plotë, qoftë edhe të një ditë të aktivitetit artistik teatror.

Duhet ta mbyll këtë shkrim të gjatë në kushte normale, por shumë të shkurtër në atë punë të pashembullt të kryer nga Luan Jaupi. E di shqetësimin tënd. E gjithë kjo punë të ka krijuar një peng të madh. Atë të vazhdimësisë. Djali në Amerikë, e muzeu këtu në Durrës. Me këtë që ke bërë Luan Jaupi, guxoj të të them, se je njeriu më i pasur në botë. Ky muze nuk mund të shitet, por as të blihet. Të trashigohet dhe pasurohet.

Ti je me shpresë. Edhe unë gjithashtu. Do të dalë më në fund një bir apo vajzë nëne, që t’a marr në mbrojtje dhe në besë të tij, apo në besë të saj, natyrisht të ketë edhe pushtet ekonomik, këtë pasuri. Dhe këtu do të biesh dakort me mua, se është pasuri edhe e jona, e qytetit. Për këtë, punoi gjyshi yt. Për këtë, punoi edhe babai yt. Për këtë, u cfilite dhe po cfilitesh edhe ti.

Ti Luan po i ofrohesh 70-të viteve jetë. Zoti të dhëntë edhe shumë e shumë vite të tjera. Por si në çdo gjë edhe këtu ka një fund. Po shpresa e madhe është, që pas kësaj të ketë një fillim të ri. Dhe unë besoj për këtë!