Futbollisti i APOEL-it Vujadin Saviç ka refuzuar të luajë kundër Gjilanit në ndeshjen e nesërme të Ligës së Europës duke pretenduar se “skifterat” janë skuadër e një shteti që ai nuk e njeh.
Vendimi absurd i 30-vjeçarit ka habitur mediat në Kosovë pasi shkaku i mungesës së tij është totalisht i papranueshëm. Deklarata e qendërmbrojtësit Saviç vjen një ditë pas ndeshjes së raundit të dytë të Ligës së Kampioneve Tirana-Crvena Zvezda, ku bardheblutë u eliminuan me rezultatin 0-1. Përpara takimit tifozët bardheblu shpalosën banderola politike ndaj kampionëve të Serbisë.
“Janë dy arsye se përse nuk do të udhëtoj. E para është se nuk jam në formën më të mirë pasi u vetëizolova 24 ditë për shkak të koronavirusit dhe e dyta, por më kryesorja, është se nëse udhëtoj drejt Kosovës do njihja shtetin e tyre, Nuk mund të jem ndaj një ekipi që prezanton të ashtuquajturin shtet të Kosovës”, u shpreh futbollisti i ekipit qipriot APOEL Vujadin Saviç.





