Një tifoz 25-vjeçar i Borussia Dortmund-it ka arritur të futet në stadiumin e verdhezinjve “Signal Iduna Park” me synimin për të realizuar ëndrrën e jetës së tij. Policia e Dortmund-it ka konfirmuar se mbrëmjen e kaluar kanë arrestuar një njeri në stadium, duke shtuar se personi është gjetur në fushë pa asnjë rrobë në trup.
Tifozi është kapur nga forcat e sigurisë së stadiumit rreth orës 20:30, pasi sensorët e nxehtësisë kanë dhënë alarmin. 25-vjeçari ka qenë duke luajtur me një top futbolli lakuriq në stadiumin e boshatisur. Zëdhënësja e policisë së Dortmundit, Sana Seket, ka thënë: “Ai na tha se ishte ngrohur shumë gjatë lojës”. I pyetur se si kishte arritur të futej brenda impiantit, tifozi ka thënë se thjesht kishte kaluar murin rrethues dhe ka shpjeguar se ka kthyer në realitet ëndrrën e tij.