Një ditë më parë, marinari i marrë peng i anijes “Çelepia 2” u gjet nga autoritetet egjiptiane në bordin e anijes së rrëmbyer, por ai nuk ka mundësi që të kthehet në vendin e tij, pasi nuk ka para.
Babai i Luan Memës thotë se djali i ka mbetur në Ambasadën Shqiptare në Egjipt, sepse nuk ka dokumente dhe para që të kthehet në Shqipëri, ndërsa edhe ai vetë nuk ka kushte ekonomike që t’i dërgojë të birit para për biletën e avionit.
Ndërkohë që ardhja e Memës nuk dihet ende se kur do të realizohet, fati i kapitenit të anijes Dhimitër Malja bëhet gjithnjë e më shumë i mistershëm. Luan Mema ka pohuar përpara autoriteteve se nuk ka asnjë dijeni për vendndodhjen e Maljes. Ai është shprehur se egjiptiani Adel Salam e ka vendosur në gjumë duke i hedhur ilaç në ushqim dhe kur është ngritur, nuk e ka parë Maljen aty.
Djali i xhaxhait të kapitenit, deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij. Në një prononcim për gazetarët, ai tha se ka takuar ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe gjithashtu Presidentin Bujar Nishani, të cilëve u ka kërkuar që ta gjejnë kapitenin që u nis për punë, e tashmë është i zhdukur prej ditësh.
“Ku është i afërmi ynë? Ku ka përfunduar? Shteti të na ndihmojë për të zbardhur të vërtetën!”, thotë i pikëlluar kushëriri i kapitenit Malja.





