11 mars 2015 – Petrit Çinari, një ish-oficer i specializuar si snajper, i cili sipas Tom Doshit është porositur për të kryer atentatin ndaj tij, rezulton një shtetas i sëmurë mendor.

Këtë lajm e ka konfirmuar sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili përmes një konference për shtyp, sqaron se shtetasi i pretenduar si dëshmitar nga Tom Doshi, është trajtuar si një i sëmurë mendor në institucionet e personalizuara të vendit.

Luan Rama ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë deri në fund këtë çështje, një farsë që sipas tij është shndërruar në një parodi qesharake dhe të vërë para përgjegjësisë ligjore këdo që është i implikuar, përfshirë sipas tij edhe personat që përdorin të sëmurë mendorë në kundërshtim me atë që parashikon kartela e tyre. Kjo sipas Ramës, është e dënueshme nga legjislacioni shqiptar ndaj, manipulimi i të sëmurit mendor, Petrit Çinari, i përmendur nga Doshi, duhet të përfshihet si element i hetimit.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/