TIRANE, 9 prill 2013-Lëvizja Socialiste për Integrim thekson vendosmërinë e saj për të kontribuar për zgjidhjen e çështjes çame, në përputhje me të drejtat europiane. I pyetur në lidhje me pozicionimin e LSI-së përsa i përket kësaj çështjeje, sekretari i përgjithshëm, Luan Rama tha se qëndrimi i LSI-së pro zgjidhjes së çështjes çame është artikuluar prej kohësh.
“Ne vlerësimin tonë çështja çame është një çështje e rëndësishme që lidhet me çështjen e shqiptarëve në Ballkan. Ne e kemi përcaktuar qartë qe jemi pro zgjidhjes së saj në përputhje me të gjitha dokumentet evropiane që rregullojnë çështje të tilla, këtë e kemi bërë të njohur sa herë ka qenë e rastit, madje që kur Meta ka qenë kryeministër." – u shpreh Rama ndërsa shtoi se edhe qëndrimi i Edmond Panaritit në cilësinë e Ministrit të Jashtëm ka dëshmuar se LSI është e vendosur të veprojë në përputhje me të drejtat europiane.
Në konferencën për mediat, ku përshëndeti mbylljen e suksesshme të procesit zgjedhor në Maqedoni, si dhe rezultatin e BDI-së në këto zgjedhje, Luan Rama theksoi se me zgjedhjet e qershorit edhe Shqipëria duhet të dëshmojë pjekuri, e të realizoje zgjedhje me standarde.
I pyetur në lidhje me konfigurimin e KQZ-së, pas aleancës PS-LSI, Rama tha se ky është një problem ligjor e kushtetues.
“Ne do t’i qëndrojmë asaj fryme të artikuluar në raport me kushtetutën, edhe kryeministri Berisha ka thënë që kushtetuta i ka përcaktuar qartë zgjidhjen për probleme te tilla. Ne do ecim më tej me synimin dhe përgjegjësinë jo se kush merr thelën, por me përkushtimin që të realizojmë një proces korrekt në përputhje me standardet evropiane”- tha ai.
Zoti Rama u pyet për detaje të marrëveshjes mes LSI-së dhe PS-së, por ai tha se tashmë “aleanca është vetëm në stadin e ftesës dhe pranimit të ftesës për të krijuar bashkëpunimin e nevojshëm mes dy aktorëve me influence të së majtës shqiptare. Kur të ketë zhvillime të tjera do t’u informojmë me korrektesë”-përfundoi ai.





