Edhe pse nisja e sezonit të ri televiziv është shumë afër, Luana Vjollca, ende nuk ka zbuluar se ku do ta shohim. Edhe ndjekësit kanë nisur të pyesin se kur do të rikthehet në ekranin e “Top Channel”.
Ndryshe nga çdo fund gusht i mëparshëm, kur Luana kthehej për përgatitjet e para të “Shiko Kush Luan”, deri tani nuk ka postuar asnjë foto në ambientet e punës. Ajo nuk ka konfirmuar as se do të ketë një sezon të pestë të programit argëtues të të shtunave mbrëma.
Ndërkohë që kurioziteti vazhdon e ndjekësit pyesin, është Luana ajo që ka një pyetje për ta. “Pa hë, çfarë ka të re?”, shkruan ajo në foton e fundit në Instagram, e veshur me një kanatjere portokalli. Nuk janë të pakta komentet e ndjekësve, emoji që i përshtaten ngjyrës së veshjes së saj, zemra portokalli, madje edhe emoji i portokallit.
Ndaj, ndoshta këtë sezon, moderatoren mund ta shohim ndryshe, jo më të shtunën, por të dielën. Në tetor rikthehet “Portokalli”, e mbase këtë herë Luana do t’i bashkohet stafit të spektaklit të humorit, që sezonin e fundit është drejtuar nga Fjoralba Ponari dhe Salsano Rrapi.
Megjithatë, na mbetet të presim, ndërkohë që moderatorja shijon ditët e fundit të pushimeve dhe ditët e fundit si 29-vjeçare!