Fatos Lubonja ka analizuar protestën e Partisë Demokratike më 8 dhjetor dhe ka arritur në përfundimin se njerëzit e irrituar i vunë flakën mendësisë së Ramës sipas së cilës: “Historia fillon me mua”.

Sipas Lubonjës bunkerin Rama nuk e ka ngritur për nostalgjikët e komunizmit, por në bazë të kësaj devize që e ka lejuar të bëjë edhe strehën tek kryeministria.

Duke komentuar atë që mediat qeveritare dhe propaganda paranë Ramës e etiketoi si dhunë, ai thotë se ajo ishte në fakt një shfryrje e njerëzve ndaj dhunës kryeministrore, dhunës policore, dhunës tatimore dhe dhunës mediatike që i ka lodhur ata.

Sipas Lubonjës, Rama është kthyer në njeriun më të urryer të oligarkisë.

Ai shkruan për Panoramën, se nëse nuk do të ishte frika se në pushtet mund të rikthehet Berisha, protesta e 8 dhjetorit do të ishte më e madhe dhe do ta rrëzonte Ramën.

“Sipas gjykimit tim, pikërisht fakti se shumë nga njerëzit e zhgënjyer që po mbarsen me urrejtje nuk e ndiejnë të dalin në shesh për të sjellë edhe një herë në pushtet Sali Berishën dhe të tijtë, për të grabitur bashkë me të njëjtët oligarkë që dje grabisnin me Berishën dhe sot me Ramën”.

Por pasi numëron një sërë mëkatesh të Ramës, Lubonja arrin në një përfundim të pa artikuluar deri më tani:“Me atë që na shohin sytë e na dëgjojnë veshët përditë nga njerëzit që takojmë kudo, zhgënjimi ndaj kësaj mazhorance është duke u ngrkuar përditë me ndjenja urrejtje dhe neverie që kanë kapur kulme që mund të krahësohen vetëm me periudhat e errëta të periudhës pas komuniste”, vijon Lubonja.