TIRANE, 1 qershor 2013 – Para disa ditësh, publicisti Fatos Lubonja, nëpërmjet një shkrimi në gazetën Panorama, u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë në zgjedhje, por t’i vënë një kryq të madh fletës së votimit – pra, të abstenojnë masivisht.

Në këtë mënyrë, argumenton Lubonja, mund të inkurajohet lindja e një partie opozitare të vërtetë ndaj cilësdo nga të dyja që do të vijnë në pushtet pas këtyre zgjedhjeve.

I një mendimi krejt të kundërt është ish-ambasadori amerikan Withers, i cili merr pjesë në debatin publik shqiptar me intervista të herëpashershme.

Dje ai dha një intervistë në Zërin e Amerikës, gjatë së cilës tha:

“Shqiptarët vetë e dinë të vërtetën. Ata e dinë çfarë ndodh. Duke e ditur këtë të vërtetë ata duhet ta kthejnë mendimin e tyre në votë. Duhet të shohin situatën në terren. E kam thënë shpesh herë, këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse e ardhmja e Shqipërisë do të jetë demokraci, apo nëse vendi do të rrëshqasë pas në diktaturë. Shqiptarët duhet të shohin tek vetvetja dhe jo të përpiqen të shohin se çfarë është në mendjen e burokratëve të Departamentit të Shtetit – dhe të votojnë sipas asaj që besojnë, që për mua është të votojnë për ndryshimin…. Unë do t’u bëja thirrja shqiptarëve të dalin të votojnë në numër të madh, që çdo lloj përpjekje për manipulim të dështonte.”