DURRËS, 25 korrik 2015 –  Porto-Romanoja po përmendet shpesh në gjeopolitikën e energjisë globale.

Bashkimi Evropian dhe kancelarja e hekurt gjermane, z. Angela Merkel mendojnë të neutralizojnë shantazhin rus mbi Ukrainën, duke ndërtuar një terminal gjigant gazi me vlerë 630 milionë euro në ishullin kroat të Kërk-ut që parashikohet të përfundojë në vitin 2019, njofton jo pa gëzim, e përditshmja e njohur kroate Jutarnji list [shih: www.jutarnji.hr/lng-terminal-mora-biti-gotov-2019—europi-treba-da-vise-ne-bude-ovisna-o-ruskom-plinu/1208068/].

Por entuziazmit kroat i “hedh ujë” një portal multimedial i kompanisë publike sllovene të TelekomitPlanet SiOL.net, kur shkruan se gjenerali amerikan në pension Uesli Klark (Wesley Clark) është përmendur si investitor potencial në terminalin e gazit në Kërk, por për SHBA-në, në përpjekjet për izolimin e Rusisë në fushën energjetike, Shqipëria ndoshta do të ishte edhe më interesante se Kroacia, nëse kompania kanadeze Petromanas Energy, Inc, ku z. Klark bën pjesë në bordin e drejtorëve që nga 18 nëntori 2013, do të ndërtojë një terminal gazi në Porto Romano të Durrësit [shih: www.siol.net/novice/gospodarstvo/2014/07/evropa_alternativa_ruski_plin.aspx].

Sipas Petromanas-it, pothuajse gjithë prodhimi ekzistues i naftës e gazit në Shqipëri nxirret në 50 kilometra bregdet. Prandaj, shumica e hidrokarbureve të prodhuara dërgohen në portin jugor të Vlorës, që ka dy rafineri në afërsi, si dhe depozita dhe cisternë ngarkim / shkarkimi. Nafta dhe gazi mund të transportohen lehtë në rafineri në Francë, Itali apo Spanjë për përpunim. Në Durrës është një port i dytë i fokusuar në importe.

Rruga e propozuar për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) kalon nga Turqia dhe Greqia mu në zemër të Shqipërisë para se të kapërcejë detin Adriatik dhe pastaj në Itali. Pasi të përfundojë, TAP-i do të mundësojë që gazi të rrjedhë nga rajoni i Kaspikut drejtpërdrejt në tregjet evropiane [shih: www.petromanas.com/Exploration-Portfolio/Albania/Infrastructure/index.php].

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/