‘Dëgjuam zhurma dhe u frikësuam, ndaj njoftuam policinë’. Kështu e nis rrëfimin e saj e moshuara nga Fieri, banesa e të cilës tentoi të grabitjes nga disa persona, ku një prej tyre humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë dhe një tjetër u plagos.

Elsa Muça, teksa fshin derën kryesore të banesës që ka mbetur pa bravë, ku duken disa njolla të zeza, e cila u tentua të hapjen gjatë natës nga hajdutët tregon për ‘News24’ atë çka ngjau. Ajo thotë se për fat të mirë dje kishte mbyllur me lloz derën, pasi nuk e mbyllte asnjëherë, debat që bënte shpesh herë me burrin e saj Minellën.

“Ata tentuan të hapnin derën, po lëviznin llozin. Unë e lë pa lloz, por Minella më bënte llafe gjithmonë. Për fat. Ishte llozi i futur në beton dhe s'e hapën, shyqyr”, tregon gruaja, ende e traumatizuar.

Çifti Muça pikasi grabitësit që tentuan të hapnin derën dhe menjëherë kanë njoftuar policinë, e cila mbërriti në vendngjarje. Gjatë aksionit për kapjen e grabitësve, këta të fundit qëlluan mbi policinë e cila u kundërpërgjigj duke vrarë njërin prej tyre dhe plagosur një tjetër. Grabitësi që mbeti i plagosur është me inicialet E.M, 37 vjeç dhe ndodhet në spitalin e Fierit.

Dy grabitësit e tjerë kanë arritur të largohen, ndërsa nga radhët e punonjësve të policisë nuk ka persona të lënduar. Forca policie kanë ngritur postblloqe për kapjen e dy autorëve të tjerë.