TIRANË-BRUKSEL, 27 shkurt 2013 – “Lufta e Qumështit” midis Kosovës dhe Shqipërisë po merr përmasa ndërkombëtare, duke u renditur si alarmi i dytë për BE-në pas aferës për mishin e kalit. Autoriteteve kosovare të sigurisë ushqimore dhe bizneseve që qëndrojnë pas tyre, nuk u ka marrë mendja se konkurrenca ndërshqiptare në industrinë e qumështit do të dëmtonte rëndë reputacionin e shtetit amë, të paktën në Evropë, por edhe do të goditeshin keqas eksportet ushqimore shqiptare.
Prapavija
Paniku për “qumështin kanceroz” duket të ketë në prapavijë një konflikt tregtar, shkruan e përditshmja e Tiranës “MAPO”. Gjasat flasin për këtë, kur pala kosovare bllokoi 5 marka të qumështit të importit në tregjet e veta dhe deklaroi se prodhimi vendës është i sigurt. Kjo ka qenë deklarata zyrtare e Autoritetit Kosovar të Ushqimit. Tezës së sulmit për konkurrencë i mëshon edhe drejtori i prodhimit në kompaninë ‘Primalat’, Vigan Dervishi, i cili deklaroi se vendimi i agjencisë kosovare është i pamenduar dhe tendencioz, pasi analizat e bëra nga kjo agjenci mund të kenë probleme. Qumështi që prodhohet në këtë kompani është i garantuar dhe i kontrolluar në laboratorët më të njohur, sqaron më tej ai. Sikur ky rast do të ishte i vetmi në historinë e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kosovë pas luftës, askush nuk do të dyshonte se këto metoda paniku të frikshme do të përdoreshin për dominim tregjesh. Por e vërteta është se, Shqipëria dhe Kosova në petkun e nacionalizimit kanë plot konflikte tregtare, që kanë përfshirë edhe instancat më të larta shtetërore të dy vendeve. Rasti më i fundit ishte këtë verë, kur pala kosovare vuri hiper tarifa për çimenton shqiptare. Kjo masë ishte rrjedhojë një politike të ngjashme që pala shqiptare aplikoi ndaj patates kosovare, pak para se të ndodhte historia e çimentos, thotë “MAPO”, medie afër qeverisë së Tiranës..
Biznesi i Prishtinës: O sa mirë!
Por e përditshmja “Zëri” e Prishtinës zbulon pa dashje faktin se “përfaqësues të bizneseve në vend thonë se produktet e prodhuara në Kosovë gjithmonë kane qenë të sigurta për konsum”. “Zëri” citon Agim Shahinin, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve të ketë thënë se prodhimet vendore janë shumë të sigurta, pasi që sipas tij ato në vazhdimësi kontrollohen nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUVK). AUVK-ja ka bërë një punë të mirë që ka ndalur shitjen e qumështit të dyshimtë në vendin tonë. Shahini thotë se nga ky veprim duhet të marrin mësim edhe prodhuesit vendorë, pasi që sipas tij ata në vazhdimësi duhet ta rrisin cilësinë dhe sigurinë e ushqimit. “Rritja e cilësisë është në të mirë të bizneseve, pasi që vetëm përmes kësaj ata mund të zëvendësojnë produktet e importuara me produkte vendore”, tha ai.
“Pabesia”
Sipas së përditshmes “Shqip” të Tiranës, në një takim që kreu i Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, zhvilloi pak kohë më parë me autoritetet kosovare, një nga pikat e bashkëpunimit parashikonte njoftimin e palëve për çdo produkt që ka origjinë shqiptare ose anasjelltas duhet të njoftohen homologët. Ndërkohë që autoritetet kosovare nuk e kanë respektuar marrëveshjen, duke e bërë publik faktin në media para se të konsultoheshin mes tyre. Kosova nuk disponon laboratorë dhe ekspertizë të hollësishme lidhur me analizat ushqimore, në këtë rast për qumështin. Ndërkohë që produktet e dyshuara me origjinë nga Shqipëria kanë pasur certifikatë garancie dhe cilësie, dhe analizat janë kryer dy ditë para publikimit të lajmit nga media kosovare, se produktet përmbanin alfatoksinë.
Sipas rregullit, çdo produkt që importohet në Shqipëri, kontrollohet në doganë dhe shoqërohet me dokumente certifikuese. Ndërkohë që autoritetet që mbrojnë konsumatorët, të qeverisë qendrore, vendore apo edhe kontrollet rutinë të Drejtorisë së Higjienës marrin kampionë ekzaminimi periodikisht për të parë pastërtinë, përmbajtjen dhe cilësinë e produkteve të ofruara në tregun shqiptar.
Ndërkombëtarizimi
Ndërkombëtarizohet afera e qumështit. “Paniku i qumështit ka përfshirë Shqipërinë e Kosovën”, ky ishte titulli i “Eurasia Review”, po kështu dhe mediet në Itali, ku sidomos “Il Giornale” shfaqte gezimin që Apeninet nuk kishin importuar qumësht dhe produkte blegtorale nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Bosnjë-Herecegovina. Italianët kosumojnë vetëm qumësht italian. Kurse portali “Southeast European Times” shkruan se inspektorët e kontrollit të ushqimeve në Bosnjë-Hercegovinë konfirmuan shkatërrimin e më shumë se 20 tonë qumësht të importuar nga Kroacia që përmbante substancën kancerogjene aflatoksinë. Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike e Bosnjë-Hercegovinës dhe Zyra e Veterinarisë e ndaluan importin e qumështit nga kompanitë kroate Dukat dhe Vindija, pasi u gjet substanca Ministria e Bujqësisë kroate njoftoi se nivelet e zbuluara të aflatoksinës janë pak më të larta sesa ato të lejuara në vend dhe BE, duke shtuar se qumështi i prishur përbënte një rast të izoluar. “Nivelet e gjetura të aflotoksinës në produktet e tërhequra nga raftet e dyqaneve në 8 shkurt janë vetëm pak më të larta se standardet e rregulluara rreptësisht nga BE”, tha ministria, duke shtuar se vetëm konsumi afatgjatë i qumështit në “sasi të madhe të pazakonshme”, mund të shkaktojë pasoja shëndetësore.
Më 22 shkurt, ministrja serbe e Shëndetësisë Slavica Dukiç-Dejanoviç njoftoi se i gjithë qumështi i dyshimtë ishte hequr nga raftet dhe se qumështi në dyqan qe i sigurt. Zyrtarët në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Malin e Zi po kontrollojnë dyfish prodhimet ushqimore për ndotje. Vendet rajonale dhe BE janë të vetëdijshme për rëndësinë e kontrollit të transportit të ushqimeve nëpër kufijtë. “Inspektorët u urdhëruan të kryenin kontrolle të forta të të gjitha prodhimeve të qumështit nga Kroacia dhe mund të themi se kontrollet do të vazhdojnë”, tha Dushka Makiviç, zëdhënëse për Administratën për Veprimtaritë e Kontrollit të Republikës Sërbska.
Reagimi, KE me 20 masa të reja
Në përgjigje të këtij incidenti dhe të tjerëve, Komisioni Evropian propozoi 20 masa që kanë për qëllim të përmirësojnë sigurinë e prodhimeve për konsum dhe vëzhgimin e tregut për të gjitha prodhimet jo-ushqimore. Midis masave është bashkërendimi më i fortë i organizmave të kontrollit në kufijtë e BE-së për të siguruar se informacioni rreth prodhimeve të miratuara ndahet mes vendeve. Në qoftë se Parlamenti Evropian pranon rregullat e reja, prodhuesve do t’u duhet të përcaktojnë vendin e origjinës dhe emrin e adresën e kompanisë në paketën e prodhimeve të konsumatorit.
Brukseli: Progres i kufizuar
Ndërkaq gjithë kjo “aferë’ nxori në pah dhe probleme të sigurisë ushqimore për Tiranën zyrtare. Në Shqipëri, “përparimi në fushat e sigurisë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare është i kufizuar. Kërkohen përpjekje për të përmirësuar përcaktimin e kompetencave, përgjegjësitë dhe komunikimin që lidhen me menaxhimin e riskut, regjistrimin e lëvizjeve dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, si dhe përmirësimin e ushqimit dhe të stabilimenteve ushqimore. Në tërësi, përgatitjet në fushat e sigurisë ushqimore dhe politikave veterinare dhe fitosanitare janë në fazë të hershme”, këto janë përfundimet që ka arritur Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2012 .Në kapitullin 12 të Raportit të Progresit të vitit 2012 “Politika e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare” bën “për një lek” dhe dikasterin e Genc Rulit.
AKU, pa kapacitete për riskun
Brukseli tregohet realist kur pasqyron se “në sigurinë e përgjithshme ushqimore vihen re disa përparime. Është krijuar dhe plotësuar me personel Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU)”. Nga ana tjetër, KE-ja thotë se “duhet të qartësohet përcaktimi i kompetencave, përgjegjësive dhe komunikimit ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (MBUMK) dhe AKU-së”. Raport vlerëson se “numri i kontrolleve zyrtare u rrit në vitin 2011, pra zbatimi i rregullave të kontrollit është përmirësuar”. Por nuk harrohet të vihet në dukje se “ndonëse më shumë se 13.000 stabilimente ushqimore janë futur në bazën e të dhënave te AKUnet, këto të dhëna duhet të përditësohen dhe të vlerësohen, në mënyrë që të përdoren në lidhje me klasifikimin e riskut dhe kontrollet zyrtare”. Ajo që është më e rënda për Brukselin dhe duhet të jetë kambanë alarmi për Rulin dhe qeverinë, “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ende nuk ka zhvilluar kapacitetet për vlerësimin e riskut, si dhe nuk është ngritur ende Komiteti Shkencor dhe Panelet. Nuk janë miratuar rregullat mbi aktivitetet e menaxhimit të riskut dhe nuk janë zhvilluar procedurat zbatuese. Përgatitjet në fushën e sigurisë ushqimore janë në një fazë të hershme”.
Personeli veteriner, jo adekuat
Në politikën veterinare përparimi ka qenë i pakët, thuhet në progres raport. Ka hyrë në fuqi një ligj i ri “Për veterinarinë” duke ripërcaktuar kompetencat mbi shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve në shërbimin veterinar. Ndërkaq, pa shumë ceremoni euroburokratët shënojnë: “Niveli i personelit, në veçanti në nivelin qendror, vazhdon të jetë joadekuat. Përkufizimi i detyrave, funksioneve dhe përgjegjësive të shërbimit veterinar ende mungon, duke penguar kështu menaxhimin e zgjuar të mbetjeve klinike, kafshëve të ngordhura dhe nënprodukteve të kafshëve, të cilat janë bërë çështje serioze në drejtim të bio-sigurisë”.
KE-ja pranon se “Është përpunuar databaza e harmonizuar e kafshëve (e cila përfshin gjithashtu databazën e shëndetit të kafshëve) dhe pritet të përmirësojë regjistrimin e bagëtive të imta dhe vaksinimin e tyre kundër brucelozës”. Por i shton “bishtin: fshikullues: “Mungesa e udhëzimeve të qarta dhe regjistrimit sistematik, raportimi dhe analizat e lëvizjeve të kafshëve mbeten një shqetësim serioz në lidhje me transmetimin e sëmundjeve dhe gjurmueshmërinë e produkteve blegtorale. Raportimi i sëmundjeve nga veterinerët lokalë dhe dorëzimi i mostrave për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të kafshëve mbeten të pamjaftueshme. Përgatitjet në fushën e veterinarisë nuk kanë përparuar shumë”.
Ndërgjegjësimi i biznesit të ushqimeve, i ulët
Raporti vë në dukje se “është bërë progres në lëmin e hedhjes në treg të ushqimit për kafshët dhe njerëzit dhe nënprodukteve shtazor; apo Shqipëria vazhdon përafrimin me rregulloret e BE-së për importin e ushqimit, monitorimin e substancave dhe mbetjeve në produktet shtazore, kushtet higjienike dhe kontrollet për molusqet bivalvorë dhe peshkun, si dhe kontrollin e produkteve mjekësore veterinare”. Por Brukseli tregohet i pamëshirshëm: “Ndërgjegjësimi i operatorëve të biznesit të ushqimeve me rregullat e reja higjienike është i ulët, dhe harmonizimi i ushqimit dhe stabilimenteve ushqimore me standardet e higjienës mbeten sfidë. Përgatitjet në këtë fushë janë në një fazë të hershme. Nuk mund të raportohet progres në politikën fitosanitare. Përgatitjet në këtë fushë nuk janë shumë të përparuara. Nuk mund të raportohet progres në përafrimin me acquis për organizmat gjenetikisht të modifikuar. Përgatitjet në këtë fushë ende nuk kanë nisur”, thotë KE-ja.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





