BEN ANDONI
30nentor 2015 – Nëse do të gjykojmë për afrimin e një Lufte të vërtetë Botërore, ajo lidhet me atë që nis të hënën e 30 nëntorit në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Paris. Edhe Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse e një samiti të jashtëzakonshëm, që do u dedikohet ndryshimeve klimatike e ku 120 krerët më të lartë të botës do vendosin për fatet e botës, lidhur me uljen e emetimit të gazit serrë dhe politikave të së ardhmes mbi këto ndryshime. Ndërkohë, për të kuptuar rëndësinë e tij duhet të kujtojmë se ai do të shfrytëzohet nga shumë liderë dhe për të ardhmen politike të globit. Presidenti turk Erdogan jo më kot e ka lënë si vend takimi me presidentin rus, Putin, për të folur për incidentin e madh të tyre. Vetëm se, argumenti ynë nuk lidhet më shumë me mbajtjen e kësaj konference të jashtëzakonshme, që do të zgjasë nga 30 nëntori deri më 11 dhjetor, por se çfarë Shqipëria kërcënohet nga ndryshimi klimatik. Për fat të keq, ndryshimet klimaterike te ne ende cilësohen anësore, me gjithë efektet që kanë dhënë vitet e fundit.
Të gjithë debatin për të ardhmen e vendit tonë e merr thjesht mosmarrëveshja e gjatë politike mes qeverisë dhe opozitës në parlament. Kjo prirje ndryshon vetëm për pak ditë, kur vendi bëhet objekt i katastrofave natyrore, si përmbytjet, zjarret dhe temperaturat e larta, që vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike, të gjitha pasoja që vendit tonë po i shpeshtohen frikshëm. Ndërkohë që, janë gati alarmante gjendja dhe kapacitetet e qeverisë dhe të vendit tonë të përballojnë efektet si pasojë e këtyre ndryshimeve. Për hir të së vërtetës, ndryshimet klimatike në Shqipëri janë ndjerë që në gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjetë, kur dimri u zbut në shumë zona të vendit. Në ditët tona dhe në të ardhmen priten rritje të temperaturave, të shoqëruara me kushte ekstreme të motit dhe ulje të shirave, që do ndikojnë qoftë në valët e të nxehtit, por edhe përmbytjet.
Studimet kombëtare të realizuara deri më tani nga UNDP, WB, WHO kanë ngritur alarmin se burimet tona ujore mund të zvogëlohen deri në 18%. Sektori bujqësor, falë ndryshimeve të klimës, do ta pësojë me të mbjellat dhe blegtorinë, duke e kërcënuar direkt cilësinë e jetës së popullsisë rurale; kurse sektori energjetik do të ketë ndikim në konsumin dhe prodhimin e energjisë në të gjithë kaskadën e Drinit, mbi të cilin ne jetojmë sot, pasi energjia e prodhuar prej tyre parashikohet të ulet me 15% për hidrocentralet e mëdha dhe gati 20% për hidrocentralet e vegjël; në shëndetësi, rritja e valëve të të nxehtit dhe përmbytjeve mund të shkaktojë rritje të vdekshmërisë, si pasojë e sëmundjeve respiratore dhe atyre të zemrës; shtuar me pasojat, që lidhen me ndotjen e ujërave nga përmbytjet. De jure Shqipëria është një vend që kontribuon kundër së keqes së prodhimit të gazit me efekt serrë dhe kjo e bën të qetë në këtë samit, sepse për “fat”, niveli ynë i prodhimit ka rënë ndjeshëm. Shqipëria është palë në Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFÇC) prej janarit 1995 dhe në Protokollin e Kiotos prej janarit 2005.
Ne kategorizohemi me statusin si vend “jo në Aneksin I” të UNFÇC-së, pa detyrime kombëtare, por krahasuar me vendet e tjera në zhvillim (pjesë të Konventës), jemi vend kandidat për në BE dhe ky status na detyron që të ashtuquajturën INDC (Kontributi Kombëtar i Synuar për reduktim të Gazeve me Efekt Serrë) të jetë i përgatitur në përputhje me rekomandimet e BE-së, pra të jemi pjesë me objektivat e BE-së deri në vitin 2050. Shqipëria vërtet i ka mbështetur qëndrimet kundrejt Konventës dhe ka përcaktuar targetin për efiçencën e energjisë dhe burimeve të energjive të rinovueshme (rritje me 38%), në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Madje, deri më 2030-ën përcaktohet një reduktim të CO2 me 11.5% ose 708 kton deri në vitin 2030, duke u konsideruar ky si një synim kombëtar dhe brenda detyrimeve ndërkombëtare. Megjithatë Shqipërisë, edhe në këtë rast i mbetet shumë për të bërë, që nga rishikimi i legjislacionit kombëtar në disa fusha. Dhe, kostoja totale e këtyre masave për deri në vitin 2030 është rreth 687 milionë euro!!! Një faturë që vërtet duhet menduar qartë. Ana tjetër e medaljes është, se Shqipëria vetëm plotëson dhe ratifikon firma, ndërsa studiuesit shqiptarë pohojnë se në terren gjendja është shumë e keqe. Masat për të përballur këtë gjendje të ndryshimeve klimatike mungojnë në kompleksitetin e tyre.
Dhe, ndërkohë që ne flemë mbi statistika: reshjet e shiut janë sa gjysma e një viti më parë dhe me tendencë zbritjeje, e janë shtuar edhe ditët me thatësirë. Ndikimin më të madh nga ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike po e pëson Ultësira Perëndimore, që po i përmbyten hapësira të mëdha toke, afër kuotës zeros ose nën nivelin e tij. Kurse, ashtu siç theksuam, kapacitetet e qeverisë dhe të vendit, janë mjaft modeste e të ulëta, kundrejt retorikës së saj lodhëse, që besojmë do e përçojë edhe në Paris. Të mos harrojmë se prej shpyllëzimit të egër, niveli i gërryerjeve të dheut nga shirat është rritur 12 herë ose 8 herë më tepër se normalja.
Shqipëria do përfaqësohet në Paris me një delegacion bajagi të madh me në krye kreun e shtetit Nishani, që do ketë fjalimin e tij, por që nuk do mund të zotohet dot de facto, pasi roli i tij është krejt i pamjaftueshëm, por edhe masat dhe perceptimi i qeverive tona për ndryshimet klimaterike ende janë periferike. Ndaj, në një ditë si kjo, të jashtëzakonshme, Shqipërisë mbase edhe më shumë se terrorizmi do i duhet të bëjë zotime reale dhe si asnjëherë tjetër të bashkohet realisht në korin e madh, që po mendon për mbarëvajtjen e humanizmit në të ardhmen. Dhe, nuk ka rëndësi se Shqipëria nuk ndikon në klimën e globit; këtë herë do e pësojmë nga veprimtaria e shteteve të tjera dhe papërgjegjshmërisë sonë. Këtë gjendje që mban vërtet era luftë.
/gazetashqiptare/