Vetëm një ditë pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit, një seri fluturimesh mallrash nga Kina kanë ngritur shqetësime dhe spekulime ndërkombëtare mbi natyrën e ngarkesave të tyre. Të dhënat e aviacionit tregojnë se tre avionë Boeing 747 u nisën në tri ditë rresht – i pari të premten, tjetri të shtunën nga një qytet bregdetar kinez, dhe i treti të hënën nga Shangai.

Të gjitha fluturimet ndoqën një itinerar të ngjashëm: drejtimi perëndimor mbi Kinën veriore, përmes Kazakistanit, më pas në jug përmes Uzbekistanit dhe Turkmenistanit, përpara se të zhdukeshin nga radarët në afërsi të Iranit. Megjithëse planet e fluturimit tregonin Luksemburgun si destinacion përfundimtar, avionët nuk janë parë në asnjë moment mbi hapësirën ajrore të Europës.

Fakti që janë përdorur avionë të mëdhenj mallrash Boeing 747 – të zakonshëm për transport ushtarak ose pajisje me kontrata shtetërore – ka shtuar më tej dyshimet.

Screenshot 267

“Këto ngarkesa nuk mund të mos tërheqin vëmendje, sidomos në një moment kur pritet që Kina mund të lëvizë për të ndihmuar Iranin,” theksoi Andrea Ghiselli, pedagoge në Universitetin e Exeterit dhe eksperte e marrëdhënieve Kinë-Lindja e Mesme.

Kina dhe Irani janë partnerë strategjikë të lidhur nga kundërshtimi i përbashkët ndaj dominimit amerikan në rendin global dhe mbështesin një botë me ekuilibër shumëpalësh. Në këtë sfond, çdo lëvizje logjistike ose ushtarake që i bashkon dy vendet, veçanërisht në periudha krize, shihet me vëmendje nga Perëndimi.