Teksa bota kërkon zgjidhje kundër Covid-19 dhe një prej medikamenteve më efikase kundër tij për momentin konsiderohet Remdesivir, Turqia po përpiqet të prodhojë një ilaç të sajin kundër sëmundjes.
Kompania farmaceutike turke që po merret me krijimin e tij tha se pret që brenda tre muajsh, të përfundojë fazat 2 dhe 3 të testimit. Ilaçi, që mbështetet te molekula CNT002, është më i fundit i një serie iniciativash lokale kundër pandemisë, të cilat përfshijnë dhe zhvillimin e një vaksine.
CEO i kompanisë në fjalë, Mustafa Ersin Erfa, tha se pasi të marrë dritën jeshile të autoriteteve, ky ilaç mund edhe të eksportohet. Një ekip prej 75 studiuesish po merr pjesë në prodhimin e medikamentit të zhvilluar në bashkëpunim me tre universitete.
Brenda muajit, testet te njerëzit, pritet të fillojnë me rreth 100 vullnetarë. Kompania pretendon se është e aftë të prodhojë 25 milion doza të ilaçit çdo vit.