Guardia di Finanza ka përfunduar misionin e kontrollit ajror të territorit shqiptar për të goditur fenomenin e kultivimit të bimëve narkotike.
Kontrolli ajror u zhvillua nga maji deri në muajin tetor.
Gjetjet u prezantuan nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe përfaqësuesit e Guardia di Finanza.
Në fjalën e tij, kryepolici Proda tha se vihet re tendenca për të kultivuar bimë narkotike në ambiente të mbyllura, të njohura si shtëpitë e barit.
“Në total, për vitin 2024 Policia e Shtetit ka kryer gjithsej 216, 280 kontrolle dhe janë kryer 341, 520 orë shërbimi. Është intensifikuar kontrolli i territorit përmes përdorimit të dronëve. Në kuadër të monitorimin ajror të territorit, këtë vit janë kryer 185 orë fluturime. Gjatëq vitit 2024 u pasurua harta dixhitale e krijuar më parë me të dhënat më të fundit për tokat, zona pyjore etj. ku kultivoheshin bimë narkotike ndër vite ose mund të kultivoheshin potencialisht gjatë vitit 2024.
Për vitin 2024 janë referuar dhe janë ndjekur 119 procedime pro aktive me metoda speciale të hetimit kundër kultivimit të bimëve narkotike. Janë evidentuar 35 raste sekuestrimi të farave kanabis sativa, janë sekuestruar 45,351 fara nga 8 raste me 16,712 fara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një ndër objektivat e vendosur që në fillim të vitit 2024 ka qenë parandalimi dhe goditja e tendencës së shfaqur kohët e fundit e kultivimit të bimëve narkotike në objekte të mbyllura, shtëpi bari, të përshtatura nëpërmjet instalimit të implanteve të posaçme elektrike dhe të ajrimit.
Gjatë këtij viti u bë e mundur evidentimi i 2 rasteve që në fazën e krijimit të ambienteve me llampa dhe goditja e 5 rasteve të kultivimit në ambiente të mbyllura.
Gjatë goditjes së tyre janë gjetur dhe asgjësuar 381 bimë narkotike dhe 3040 fidanë në kubikë të kësaj bime. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 29 shtetas të implikuar, nga të cilët 18 autorë kultivimi, 9 punonjës të OSHEE, 1 kryetar fshati të proceduar për shpërdorim detyre dhe 1 qytetar për veprën e moskallëzimit të krimit”, tha ndër të tjera Ilir Proda.