Prokurorja e Përgjithshëm Arta Marku ka firmosur sot Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë. Gjatë vizitës së saj në Bullgari, Marku u takua me ministren e Drejtësisë të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva, Prokurorin e Përgjithshëm të Bullgarisë, Sotir Tsatsarov, përfaqësuesin e Këshillit Suprem Gjyqësor, Boyan Magdalinchev dhe anëtarë të Kolegjit Prokurorial të Këshillit Suprem Gjyqësor dhe me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Boris Velchev.
Qëllimi i Memorandumit në fjalë i kushton një vëmendje të veçantë përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit, si dhe nevojën për bashkëpunim të efektshëm.
Në marrëveshje caktohet se palët bien dakord, brenda juridiksioneve të tyre, të bashkëpunojnë duke shkëmbyer informacion dhe zhvilluar konsultime për përgatitjen dhe zbatimin e kërkesave për ndihmë juridike dhe veprime të tjera, për aq sa ato janë të zbatueshme brenda fushës së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale.
Memorandumi mundëson shkëmbimin e informacioninit që lejon ose kontribuon në hetimin ose parandalimin e veprimtarive kriminale, sipas nevojave specifike.





