Në kuadër të projektit “Ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme multietnike në zonat e tensionit”, më 21 tetor, 2021, Organizatat “Open Doors” nga Shqipwria, “Epeca” nga Mali i Zi dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” organizuan tryezën e rrumbullakët me temë “Nacionalizmi ekstrem –  Ballkani Perëndimor dhe Çështja e Kosovës”.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të 10 organizatave rinore nga vendet fqinje dhe Bashkimi Europan, të cilët diskutuan rreth ndërtimit të bashkësive të qëndrueshme multi-etnike në zonat që përballen me tensione dhe ekstremizëm nacionalist.

Për Laura Xhaxhiun, Drejtoreshë Ekzekutive e “Open Doors”, “shumë nga konfliktet që ndodhin në komunitetet e Ballkanit Perëndimor burojnë nga mungesa e ndërveprimit dhe mirëkuptimit ndërmjet grupeve të ndryshme etnike”. Ajo shtoi se “kjo ndasi është e vështirë të kapërcehet kur kemi të bëjmë me të rriturit, ndaj është shumë e rëndësishme të sfidohet përmes punës afatgjatë me të rinjtë”.

Për zv. Rektoren për Marrëdhëniet Insitucionae në UAMD, Prof. As. Dr. Eva Allushi, “rajoni ynë është një mozaik i njerëzve që mund të dallohen nga origjina etnike, feja, gjuha dhe kultura. Por kjo pasuri ka shërbyer si një inkubator për një sërë konfliktesh. Rrugëtimi drejt BE-së është mjeti i vetëm që mund të mbajë Ballkanin Perëndimor larg “joshjes” të së kaluarës nacionaliste”.

Dr. Romina Radonshiqi, në fjalën e saj u ndal në çështjen e minoritetit malazez në Shqipëri, si dhe foli mbi aktivitetet kulurore si një model bashkimi i komuniteteve të ndryshme etnike në vendin tonë.

Studentët pjesëmarrës nga Sllovenia, Qipro, Serbia, Kosova, Shqipëria etj., u shprehën njëzëri se strategjia që duhet ndjekur që nacionalizmi të jetë më pak i pranueshëm në shoqëritë tona, është ngritja e urave të bashkëpunimit mes të rinjve në rajon.

Projekti “Ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme multietnike në zonat e tensionit” mëton të trajtojë ekstremizmat nacionalistë përmes edukimit të punonjësve të rinj (nga BE dhe Balkani Perëndimor), hartimin e manualeve për zhvillimin e metodave të edukimit jo-formal, përmes të cilëve të rinjtë e angazhuar nga vendet partnere do të fuqizojnë të rinjtë e tjerë për të trajtuar siç duhet rastet e ekstremizmit.