Ministri i Energjisë i Katarit , Saad al-Kaabi, ka paralajmëruar se një luftë në Lindjen e Mesme mund të rrëzojë ekonomitë globale dhe vlerësoi se të gjithë eksportuesit e energjisë në Gjirin Persik do të ndalonin prodhimin brenda disa javësh, duke i çuar çmimet e naftës në 150 dollarë për fuçi .

Al-Kaabi, duke folur për Financial Times, tha se edhe nëse lufta përfundon menjëherë, Katarit do t’i duheshin javë deri në muaj për t’u rikthyer në furnizimet normale pas një sulmi me dron iranian në uzinën më të madhe të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në vend. Katari, prodhuesi i dytë më i madh në botë i LNG-së , u detyrua të deklaronte forcë madhore këtë javë pas sulmit në uzinën e Ras Laffan.

Mediat e huaja shkruajnë që edhe pse Katari eksporton vetëm një përqindje të vogël të gazit të tij në Evropë, ministri i energjisë tha se Evropa do të pësonte humbje të konsiderueshme, pasi blerësit aziatikë do të ofronin më shumë për aq gaz sa është në dispozicion në treg, ndërsa vendet e tjera të Gjirit do të kishin vështirësi në përmbushjen e detyrimeve të tyre kontraktuale.

“Të gjithë ata që nuk e kanë deklaruar forcën madhore pritet ta bëjnë këtë në ditët në vijim nëse kjo situatë vazhdon. Të gjithë eksportuesit në rajonin e Gjirit do të detyrohen të deklarojnë forcën madhore. Nëse nuk e bëjnë, do të detyrohen ligjërisht të paguajnë për të, dhe kjo është zgjedhja e tyre.”, tha Kaabi.