Deputeti Fatmir Mediu, ka komentuar mbrëmjen e sotme situatën e tensionuar në Liban mes Hezbollahun dhe Izraelit, ku tha se është e njëjta që ndodhi në Gaza me Hamasin.

I ftuar në një program televiziv, Mediu tha se rajoni i Lindjes së Mesme është një nga më problematikët nga pikëpamja e sigurisë e asaj gjeopolitike.

“Është një nga rajonet më problematike nga pikëpamja e sigurisë, gjeopolitike dhe e rëndësisë që ka ky rajon”, tha Mediu, duke shtuar se gjërat kanë agravuar me kohën, ndërsa duhej të ishin zgjidhur në kohën e duhur.

Mediu tha se Europa është pothuajse inekzistente në këto konflikte në Lindjen e Mesme, ndërsa shtoi se Irani është një nga aktorët më të fuqishëm në atë zonë.

“Një nga aktorët më të fuqishëm në atë zonë është Irani, i cili është me të njëjtën gjatësi vale me Hezbollahun, që duan të shuajnë shtetin e Izraelit”, tha Mediu.

Kreu republikan tha se tashmë kemi një Botë më shumë se dypolare, pasi si Kina dhe Rusia, kanë një tjetër qasje.

“Izraeli nuk ka interes të zgjerojë të konfliktin, ka marrëdhënie të forta me Egjiptin, Jordaninë, por edhe me Katarin”, tha Mediu.

Ai u shpreh se Hezbollahu ka tentuar sot të godasë me raketa balistike, që kanë fuqi shkatërruese shumë të lartë.