23shtator 2015 – Policia ka dalë në konkluzionin se lufta e zhvilluar sot në Mamurras lidhet me paratë e siguruara nga rrjeti i prostitucionit në Itali. Ajo ka bërë një përmbledhje të ngjarjes së rëndë, të ndodhur në këtë qytet paraditen e sotme. Viktima Naim Tafa ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje, dhe ka dalë nga burgu me datë 08.09.2015 ku është kthyer në Rinas si i depërtuar, me masë 10 vjet, të mos qarkullojë në hapësirën Shengen.
Ngjarja
Rreth orës 11:30 në qytetin e Mamurrasit rrethi Kurbin, ka ndodhur një konflikt mes shtetasve Enrik Mamli, 28 vjeç dhe Dorian Mamli, 31 vjeç të cilët janë kushërinj mes tyre, ku shkaku i konfliktit mes dy kushërinjve ishte shoqërimi i Dorianit me shtetasin Naim Tafa. Enriku i kishte kërkuar kushëririt te vet, qe te mos shoqerohej me shtetasin Naim Tafa dhe të afërmit e tij pasi me këta persona ka pasur konflikt të mëparshëm jashtë shtetit.
Por shtetasi Dorian Mamli, nuk i eshte bindur kushëririt te tij duke i thene qe i ka shoke dhe do shoqërohet me ta. Ky konflikt verbal mes dy kushërinjve ka agravuar në konfrontim fizik.
Me pas shtetasi Dorian Mamli ka lëvizur me makinen tip Audi A4 me targe AA 111 BN në drejtim të banesës së tij dhe është kthyer për t’u mjekuar në ambulancën e qytetit Mamurras, ndërsa Enrik Mamli është larguar me automjetin e tij tip Range Rover me targa AA 481 JT në drejtim të banesës së vet.
Gjatë rrugës në hyrje të qytetit Mamurras, pikërisht në hyrje të rrugës për tek Stacioni i Trenit, mjeti tip Benz me targa AA 077 CN, në të cilën ndodheshin shtetasit Naim Tafa, Arjan Tafa (alias Taulant Bedri), Gazmir Elezi (alias Gentjan Tafa) ka përplasur automjetin tip Range Rover me targa AA481JT të drejtuar nga shtetasi Enrik Mamli.
Në këto momente , makinat në fjalë kanë ndaluar dhe personat që gjendeshin në to, nga brenda makinave kanë qëlluar me armë zjarri ndaj njëri tjetrit, ku për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Naim Tafa dhe janë plagosur shtetasit Arjan Tafa, , Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Coku. Ku këta të fundit kanë qënë jashtë automjeteve. Të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës Tiranë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e shtetasit Enrik Mamli, e cila është gjetur e braktisur rreth 300 m larg vendit të ngjarjes. Aty u zbulua dhe arma, automatik. Policia arrestoi Enrik Mamlin si autor i vrasjes.
/portali DurresLajm/