Anija e parë e mallrave është nisur nga porti i Odessa për të lundruar brenda korridorit të ri detar të caktuar nga Kievi në Detin e Zi, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës së Ukrainës.
“Anija e kontejnerëve Joseph Schulte me flamurin e Hong Kongut është larguar nga porti i Odessa dhe po lundron përgjatë korsisë së përkohshme detare të caktuar nga Kievi,” tha Oleksandr Kubrakov.
“Korridori do të përdoret si prioritet për të hequr anijet që ishin në portet e Ukrainës (Khornomorsk, Odessa dhe Pivdenii) gjatë pushtimit në shkallë të gjerë nga Federata Ruse,” sqaroi Kubrakov. Anija transporton një ngarkesë prej 30,000 tonësh në 2,114 kontejnerë.
Anija ishte në portin e Odessas që nga 23 shkurt 2022, një ditë para pushtimit rus të Ukrainës.
Ukraina javën e kaluar caktoi një “korridor humanitar” në Detin e Zi për të çliruar anijet e ngarkesave të bllokuara në portet e Ukrainës.
Rusia ka kërcënuar se do t’i konsiderojë anijet që lundrojnë drejt ose nga portet e Ukrainës si objektiva të mundshëm ushtarakë pasi u tërhoq nga një marrëveshje për eksportimin e grurit përmes Detit të Zi.
Megjithatë, Joseph Schulte është në pronësi të një banke kineze dhe të kompanisë së transportit detar Bernhard Schulte (BSM) dhe përdor korsinë detare duke lundruar në ujërat territoriale të Ukrainës, Rumanisë dhe Turqisë, “për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve në jug. ”, thuhet në njoftimin e BSM.