Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka deklaruar se ka pak shpresë që lufta në Ukrainë të përfundojë përmes një zgjidhjeje diplomatike.
“Ka pak hapësirë për diplomaci në mendjen e presidentit rus Vladimir Putin”, u shpreh ai gjatë një forumi të politikave të SHBA-së. Ndërsa shtoi se “Ne duhet ta mbajmë të hapur kanalin e diplomacisë, duke qenë të vetëdijshëm bë përpjekjet e Rusisë për të manipuluar publikisht në këtë drejtim. Ne po flasim, por Rusia ende paraqet kërkesa të cilat janë të papranueshme për ne. Ne nuk do të bëjmë asnjë kompromis për çështjet ekzistenciale për Ukrainën”, theksoi ai.
Deklarata e ministrit Kuleba përkoi me thirrjen midis Putinit, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz ditën e sotme. Ndërsa një zyrtar francez i tha CNN-it se Putini dukej se ishte ende i vendosur për të arritur objektivat e tij në Ukrainë por fakti që ai vazhdon të flasë me liderët francezë dhe gjermanë tregon se ai nuk e përjashton plotësisht mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike.
Nga ana e tij, Kuleba vuri në dukje se largimi i Putinit nga posti i Presidentit të Rusisë do të mjaftonte për të ndaluar konfliktin.





