Prokuroria për Krime të Rënda do të nisë marrjen e dëshmive për grabitjen e 9 prillit në Rinas.
Gjatë javës që vjen, mësohet se do të thirren për të dëshmuar drejtues të Aeroportit, ku do të japin shpjegime në lidhje me ngjarjen dhe masat e sigurisë.
Në kuadër të hetimeve të kryera deri më tani, mësohet se grupi hetimor ka administruar dhe bërë këqyrjen e dokumentacionit dhe praktikës së ndjekur në Aeroportin e Rinasit atë ditë, por edhe të praktikës së zakonshme.
Prokuroria është duke kryer hetime paralele për ngjarjen, nga njëra anë për zbardhjen e grabitjes, vrasjes së grabitësit Admir Murataj, si dhe për të parë nëse ka pasur shpërdorim detyre nga persona që kanë pasur përgjegjësinë të sigurojnë mbrojtjen e një prej hapësirave me rëndësi të veçantë.
Më herët, nisi një “luftë” përgjegjësie mes Policisë së Shtetit dhe kompanisë që ka për detyrë ruajtjen e Aeroportit. Sipas Policisë, sinjali për grabitjen është dhënë me vonesë nga ana e punonjësve të sigurisë, ndërsa kompania në një përgjigje publike u shpreh se sinjali është dhënë në kohë dhe se ata kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme.
Mes këtyre debateve, u vendos që në brendësi të Aeroportit të jenë edhe punonjës të Policisë dhe një masë e tillë është duke u aplikuar, pasi janë caktuar punonjës policie edhe në sallën e kamerave të sigurisë. Ndërkohë, jashtë ambienteve të Aeroportit kanë nisur patrullimet. Grabitja ka ndodhur gjatë pasdites së 9 prillit dhe autorëve u janë dashur vetëm 5 minuta për të kryer grabitjen më të madhe të ndodhur në Shqipëri. Edhe më herët, është kryer një grabitje në brendësi të Rinasit nga Aleks Pepa, i cili është shpallur në kërkim, por arrestimi i tij nuk është bërë i mundur.
Ndërkohë, grabitësi i vrarë në 9 prill, Admir Murataj, është konsideruar nga Prokuroria si organizator i 3 grabitjeve të blindave të bankave. Një pjesë e grupit të Muratajt është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda, ndërsa procesi ndaj tij ishte pezulluar për shkak të mungesës. Për grabitjen e 9 prillit dyshohet se Murataj ka pasur bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e grupit dhe nuk janë mundur të arrestohen më herët. Me anë të një furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, Murataj me të paktën 3 persona të tjerë morën në momentin që po ngarkoheshin në avion 7 thasë me vlera monetare, të cilat arrijnë shumën e 5.7 milionë eurove. /Panorama





