Lufta mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit po hyn në ditën e katërt me tensione në rritje, ndërsa ambasada amerikane në Riad u godit nga dy dronë, duke shkaktuar një zjarr të vogël dhe dëme materiale të kufizuar, sipas Reuters.
Sipas autoriteteve saudite, nuk raportohet për të lënduar. Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Riad, Xhedah dhe Dahran të qëndrojnë në strehime.
Presidenti Donald Trump deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se përgjigjja e Uashingtonit ndaj sulmit do të bëhet e ditur “së shpejti”, duke theksuar se SHBA disponon “furnizime praktikisht të pakufizuara” municionesh.
Ai shtoi se nuk parashikohet dërgimi i trupave tokësore, ndërsa paralajmëroi se konflikti mund të zgjasë më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht.
Ndërkohë, Irani njoftoi mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një arterie kyçe për furnizimin global me naftë dhe gaz. Ky zhvillim ka rritur frikën për një tronditje të tregjeve energjetike, me çmimet e naftës që janë rritur ndjeshëm dhe me paralajmërime se mund të kalojnë 100 dollarë për fuçi në rast të një bllokade të zgjatur.
Përplasjet janë zgjeruar edhe në Liban, pasi Izraeli konfirmoi sulme të njëkohshme në Teheran dhe Bejrut, pas goditjeve me raketa dhe dronë nga grupi Hezbollah ndaj Tel Avivit. Në të njëjtën kohë, Departamenti amerikan i Shtetit ka urdhëruar evakuimin e personelit jo-thelbësor nga Bahreini, Iraku dhe Jordania, duke rritur nivelin e paralajmërimeve për udhëtim në rajon.
Konflikti ka ndikuar edhe në infrastrukturën teknologjike. Amazon konfirmoi se tre qendra të të dhënave të Amazon Web Services në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein u dëmtuan nga sulme me dronë, duke dalë jashtë funksionit dhe duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve.
Tregjet globale po reagojnë me nervozizëm: aksionet në Azi dhe kontratat futures në SHBA ranë, ndërsa ari, i konsideruar si strehë e sigurt në kohë pasigurie, shënoi luhatje të forta.
Ndërkohë, Kongresi amerikan pritet të votojë këtë javë për një rezolutë mbi kompetencat e luftës lidhur me Iranin, ndërsa përplasjet ushtarake në Lindjen e Mesme vazhdojnë me intensitet të lartë.





