Situata në Gaza është e mjerushme me më shumë se 10 mijë të vdekur, aq sa nuk po numërohen dot më, si edhe spitale që kanë dalë jashtë funksionit, por një tjetër konflikt ka gjasa të shpërthejë në Lindjen e Mesme.

Situata është shumë e tensionuar në kufirin mes Izraelit dhe Libanit ku prej javësh grupi libanez Hezbollah dhe ushtria izraelite kanë shkëmbyer zjarr.

Por, ditët e fundit kanë qenë veçanërisht të tensionuara, duke nxitur frikën se milicia e fuqishme e mbështetur nga Irani mund ta tërheqë Libanin në një luftë tjetër.

Të shtunën, Izraeli goditi një zonë rreth 50 km nga kufiri, sulmi më i thellë izraelit brenda Libanit që prej 7 tetorit.

Një ditë më vonë, një sulm me raketa antitank nga Hezbollah goditi dy punëtorë të një kompanie elektrike në një komunitet në Izraelin verior, duke vrarë njërin prej tyre. Ndërkohë ushtria izraelite raporton edhe për 7 ushtarë të plagosur nga një tjetër sulm prej Hezbollahut.

Shkëmbi i zjarrit vijon nga ora në orë. Në Liban, dy persona, të cilët thuhet se janë luftëtarë  të Hezbollahut u vranë. Mediat libaneze thanë gjithashtu se Izraeli goditi një zonë ku një grup gazetarësh po raportonin në fshatin kufitar Yaroun.

Kjo ndodhi saktësisht një muaj pasi një gazetar i Reuters u vra në një sulm izraelit në Libanin jugor.

Hassan Nasrallah, lideri i Hezbollahut, tha në një fjalim të shtunën se grupi po përdor raketa më të fuqishme dhe drone shpërthyes kundër objektivave izraelite dhe se ofensiva do të vazhdojë.

Menjëherë më pas, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, u tha trupave izraelite se Hezbollahu po “bënte gabime”, duke shtuar: “Atë që po bëjmë në Gaza, mund ta bëjmë në Bejrut”.