Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio ka konfirmuar se do të marrë pjesë në bisedimet e Arabisë Saudite me Rusinë, së bashku me të dërguarin e SHBA për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, dy nga këshilltarët më të afërt të Trump për politikën e jashtme.

Rubio do të shkojë atje nga Jeruzalemi, ku ka zhvilluar ditën e sotme bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. I pyetur nga CBS News për takimin e Arabisë Saudite, Rubio dha pak detaje për atë që kishte ndërmend t’i thoshte Sergey Lavrov, homologut të tij rus.

Megjithatë, ai dha një tregues se si e sheh administrata takimin, duke thënë se “ditët e ardhshme” do të përcaktojnë nëse Vladimir Putin është serioz për paqen. Rubio theksoi se “një takim nuk do ta zgjidhë” luftën dhe u shpreh se ende nuk është ngritur një proces zyrtar negociues që do të ndërmjetësojë midis Ukrainës, Rusisë dhe palëve të treta.

“Ajo që kemi tani është një telefonatë midis Presidentit Putin dhe Presidentit Trump, në të cilën të dyja palët shprehën interesin për t’i dhënë fund këtij konflikti. Unë imagjinoj se do të ketë biseda vijuese për të kuptuar se si do të dukej një proces për të folur.”, ka thënë Rubio.