Spanjë, 20 gusht 2014 – Kush mendon se gjërat shkojnë vaj dhe pa hatërmbetje brenda familjes së madhe madrilene, sigurisht që gabon. Imazhi shpesh është gënjeshtar, edhe për një skuadër që fitoi trofeun e Champions League në sezonin e fundit dhe që i hapi derën yjeve të tjerë si James Rodriguez, Toni Kroos e Keylor Navas. Askush nuk ka dashur të flasë për tensionin brenda kampit, megjithatë para ndeshjes së Superkupës së Spanjës, kamerat kanë kapur disa momente që nuk kanë nevojë për shumë koment.

Siç mund të shihet qartë, Arbeloa kalon në tunel duke përqafuar e duke i uruar fat të gjithë shokëve të skuadrës, me përjashtim të Iker Casillas, të cilin e injoron jo pa qëllim. Gjithçka ka nisur pak kohë më parë, kur portieri i Los Blancos kishte pëlqyer në rrjetet sociale një postim në të cilin kritikohej Diego Lopez, ndërsa Arbeloa cilësohej si një qen kone. Mbrojtësi replikoi më pas duke ripostuar një analizë ku Casillas konsiderohej si fajtor për të gjitha të këqijat te Reali, madje shkrimi shkonte deri aty sa kapitenin e quante si një tumor te Los Blancos. Arbeloa më vonë kërkoi falje, por gjithçka me sa duket sa për sy e faqe sepse lufta mes të dyve vazhdon. Në episodin më të fundit, në Bernabeu, të dy madrilenët bënë çmos që të evitonin qoftë edhe shikimin sy më sy.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/