Një grabitës ka mbetur i vdekur, ndërsa një tjetër i plagosur pas shkëmbimit të zjarrit me policinë gjatë një tentativë grabitjeje. Ndërsa dyshohet se janë edhe dy autorë të tjerë që janë larguar gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 03:00 në lagjen “29 Nëntori” në Fier. Burime zyrtare bënë me dije se 4 persona të maskuar edhe të armatosur (me pistoleta e automatikë) kanë tentuar të hyjnë në banesën e shtetasit me inicialet M.M, duke thyer drynin e derës. Por pas sinjalizimit të policisë, hajdutët janë përballur me forcat e rendit dhe kanë hapur zjarr ndaj këtyre të fundit.
Nga radhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar.
Informacioni paraprak i policisë:
Në datën 23.03.2018, rreth orës 03:00, policia lokale u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së shtetasit M.M, disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtepisë duke thyer drynin e derës.
Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë.
Në kushtet e reagimit propocional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen.
Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Autorët e tjerë, që dyshohet se janë edhe dy, duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.
Nga radhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar.
Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale.
Nën drejtimin e një grupi të posacëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.





