Disa vatra zjarri kanë përfshirë bashkinë e Durrësit këtë fillim-jave.
Të ndezura qëllimisht nga persona ende të paidentifikuar, flakët kanë përfshirë Shkafanen dhe Kuraten, pyjet përkrah rrugës drejt njësisë administrative Ishëm.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë 12 zjarrfikës dhe 3 mjete të Durrësit të ndihmuar nga 9 zjarrfikës dhe 3 mjete të portit, Shijakut dhe Kamzës.
Këta të fundit, pas disa orësh në luftë me flakët, mundën t’i neutralizojnë dhe shuajnë të gjitha vatrat aktive.
“Mirënjohje dhe respekt për zjarrfikësit që luftojnë me flakët çdo ditë”, vlerësoi kryebashkiakja Emiriana Sako përmes një postimi në rrjete sociale, ndërsa vlen të theksohet se ky fenomen përsëritet çdo vit në zonën e Ishmit.
Andaj, policia e qarkut është vënë në dijeni dhe lëvizje, për të gjetur përgjegjësit e këtyre zjarrvënieve të qëllimshme.
Po ashtu, autoritetet bëjnë apel të vazhdueshëm për kujdes të shtuar, sidomos në zonat rurale a pyjore, sepse vetëm një shkëndijë, në këto temperatura të larta që qyteti bregdetar po regjistron prej 3 javësh tashmë, mjafton për të shkaktuar një dëm të madh në sipërfaqet e gjelbra.