Një ngjarje e rëndë është shënuar në mesnatë, në zonën pranë Lidhjes së Skrimtarëve, në Rrugën e Kavajës në Tiranë.

Gjatë një operacioni për arrestimin e një trafikanti droge (i cili po transportonte 1 kg kokainë) në momentin e ndalimit nuk i është bindur thirrjes së policisë dhe i ka dhënë shpejtësi mjetit të tij, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Në këtë moment njëri nga punonjësit e policisë në vetëmbrojtje ka qëlluar dhe e ka plagosur trafikantin, i cili më pas është dërguar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq policia bën me dije se janë arrestuar dhe dy persona që ndodheshin në makinë me të plagosurin, ndërsa AMP ka nisur një hetim për policin që përdori armën ndaj agresorëve që tentuan të largohen duke rrezikuar jetën e efektivëve.

Mesohet se personi i plagosur quhet Enea Sulejmani dhe është plagosur në inde të buta, plumbi nuk i ka prekur asnjë organ jetësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla me anë të një postimi në Facebook:

“Ndërsa Policia e Shtetit vijon goditjen e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike #PaketaeSigurisënëshkolla #Tempulli2 pak momente më parë gjatë një operacioni të njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, personat e dyshuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në përpjekje për tu larguar kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka vepruar sipas ligjit duke iu kundërpërgjigjur sulmit.
Si Ministër i Brendshëm duhet të rikujtoj se kushdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën (siç ndodhi sonte) në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca është ZERO. Policia e Shtetit ka gjithë mbështetjen për të vijuar goditjen e krimit, në të gjitha format e tij.”

Policia për ngjarjen:

Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volksëagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien  automjetin e sherbimit të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.

Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.

Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.