Vetëm një aksion karakteristik i Luftëtarit që në këtë sezon ka mahnitur në Kategorinë Superiore. Gjithçka e rrjedhshme, me një takim dhe Eduard Rroca që e dërgoi topin në rrjetë. Kaq i mjaftoi skuadrës së Milinkoviç të fitonte 1-0 në fushën e Teutës. Pa Rexhinaldon, Ramadanin e Liçajn dhe me Abazajn në stol, në një duel që shërbentë për t’iu larguar luftës për mbijetesë, për t'u kthyer te fitorja pas tre ndeshjeve gjirokastratitët u shfaqën pragmatistë.
Në Durrës, Luftëtari rrezikoi jo pak. Duke nisur nga rasti i minutës së 16-të, kur nënvlerësimi i portierit Ruçi në topin e goditur nga Borshi rrezikoi të ishte fatal.Goli i Rrocës pas një aksioni perfekt dhe të shpejt ishte tregues i dominimit të miqve në fushë. E ndërsa Teuta provonte të rrezikonte vetëm nga topat jo-aktivë me Markoviç, Luftëtari ishte pranë golit me Vangjel Zguron që nuk inkuadroi portën.Ofensiva e gjirokastritëve vijoi me Lamçjan dhe Aleksin që nuk arritën të shqetësonin portierin Kastrati. Pjesa e parë e lojës u mbyll me tentativën e Markoviç për Teutën dhe goditjen qendrore të Lamçjas në krahun tjetër.
Me një paraqitje për t'u harruar në 45 minutat e para, Teuta ndryshoi totalisht në pjesën e dytë. Skuadra e Maganit rriti presionin, duke detyruar kundërshtarët të qëndronin në gjysmëfushën e tyre, ndërsa në minutën e 59-të ishin pranë barazimit. Dalja e bukur e Borshit nga e djathta nuk u shfrytëzua nga askush, me Faisal Bangal gaboi gjithçka në momentin vendimtar.Tarik Cmajcanin vendosi në provë portierin Ruçi , ndërsa gardianit të Luftëtarit i erdhi në ndihmë edhe kapiteni Beqiri për të evituar një situatë aspak komode. Në daljen e parë të rrezikshme pas 30 minutave vuajtje, miqtë mund të kishin realizuar golin e dytë me Rrocën, që i vetëm përpara portës goditi rrjetën e jashtme. Pa inkursionet e Prognit që mungonte, Teuta i përqendroi sulmet në goditjet standarde, por pa saktësinë e duhur nga Magani dhe Hoxha. Gjirokastritët mund të kishin shënuar edhe në minutën e 86-të me Bregun, që u frenua nga mrekullia e portierit Kastrati, ndërsa pak minuta përpara fundit të lojës, Teuta pretendoi për 11-metërsh pas duelit të Artur Maganit me Boyom në zonë, por gjyqtari vazhdoi lojën.Teuta pësoi humbjen e parë pas katër ndeshjeve radhazi me rezultate pozitive dhe mbetet e rrezikuar nga Flamurtari e Laçi në garën për të mos rënë nga kategoria. Në anën tjetër, me fitoren e parë jashtë fushe pas tre humbjeve radhazi, Luftëtari konsolidon vendin e katërt në renditje