Luftëtari mori pjesë për herë të parë në histori, në eliminatoren e Europa Leagues dhe u eliminua nga letonezët e Ventspilsit, pasi humbi 5-0 në Letoni dhe barazoi 3-3 në “Elbasan Arena”.Për nivelin e kundërshtarit dhe golat e shumtë të pësuar, nuk munguan as aludimet e mediave sportive për trukime e pazare nga ana e gjirokastritëve.

Pikërisht për këtë arsye, klubi i Luftëtarit ka dalë me një deklaratë publike, ku mohon me forcë këto akuza dhe kërkon respekt për skuadrën.Ja deklarata e plotë e klubit Luftëtari:Klubi i futbollit Luftëtari ka ndjekur me interes dhe shqetësim ato çka kanë shkruar mediat, duke aluduar për trukime, tolerime apo rezultate të paracaktuara. Luftëtari nuk është bërë kurrë pjesë e pazareve apo fiksimeve.

Në këtë moment delikat të skuadrës, e cila nuk përmbushi pritshmëritë në debutimin e saj europian, të gjithë u sulën si hiena mbi të gjithë ata që deri pak ditë më parë ishin heronj.Kjo është mosmirënjohja e vërtetë ndaj një skuadre që dështoi në një aventurë të paprovuar më parë. Për sa i përket çështjeve teknike, është stafi teknik ai që vendos dhe merr vendimet, dhe sigurisht merr meritat ose paguan për dështimet.

Për sa i përket atyre që aludojnë për trukime dhe fshihen pas profileve false në rrjete sociale, Luftëtari i fton që të paktën të falënderojnë për arritjen e skuadrës në nivele të larta në një kohë kaq të shkurtër.Nëse do analizojmë humbjen, të mos harrojmë që në ndeshjen e parë skuadra kishte mungesa titullarësh dhe një arbitrim skandaloz që mohoi gola dhe penallti për skuadrën tonë. Për këtë klubi ka reaguar me një notë proteste të dërguar në UEFA. Të gjithë atyre që mezi presin dështimin e skuadrës për të gjetur fajtorët, i ftojmë të kenë durim sepse Luftëtari është ndërtuar dhe destinuar për të qenë fitues. Faleminderit!