Pa dyshim që keni dëgjuar për standardin e lartë të cilin Emirates, Qatar Airways apo Singapore Airlanes ofrojnë me suitat e tyre të kategorisë First Class. Megjithatë këtë herë është një tjetër linjë, e cila sjell për vizitorët e botës kushtet optimale të të fluturuarit.

Koncepti i “Lufthansa Allegris”, i cili përfshin edhe “Allegris Suite Plus”, u prezantua për publikun në një event në Berlin, më datë 28 shkurt 2023. Megjithatë pasagjerët mundën ta shijonin “Allegris”, gjatë fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025, kur gradualisht u vu në jetë për ta, nëpërmjet flotës së avionëve të rinj Airbus A350. Design-i i krijuar për të akomoduar dy persona, me një “Double Bed” rreth 180 cm, ndonjëherë shfrytëzohet edhe nga “Solo Travellers”, të cilët për një kosto të shtuar e përfitojnë hapësirën të gjithën për vete!

Gjithçka në lidhje me shërbimin e suitës më të re nga Lufthansa është e niveleve më të larta të kujdesit ndaj pasagjerëve, cilësisë së produkteve dhe stafit të mirë-kualifikuar. Tek elementët që e bëjnë të përvetshme këtë eksperiencë, bën pjesë privatësia me sistemin e avancuar dhe panelet akustike që ulin zhurmën, dyer të larta e totalisht të mbyllura, si edhe pasqyra personale, me hapësirën për tu ndërruar brenda suitës.

Ekrani 4K UHD deri në 43 inch, më i madhi në avionët europianë, sistemi i dëgjimit Bluetooth që mundëson lidhjet me kufjet personale dhe kontrolli inteligjent mbi ndriçimin apo pozicionin e sediljes, sjellin teknologjinë me pesë yje nëpër re. E për shkak se “Allegris” është konceptuar për të qenë pjesë e fluturimeve nga Munich apo Frankfurt drejt destinacioneve të largëta si New York, Los Angeles, Chicago apo Tokyo, përvoja kulinare gjithashtu është një element që vështirë se harrohet.

Menuja është krijuar me një shumëllojshmëri pjatash që përfshijnë kombinimet e detit, tokës, si edhe ëmbëlsirave apo verave më të mira Grand Cru, Lanson e Ruinart. Shërbimet variojnë nga dine-on-demand, e deri tek darkat private brenda suitës, si një eksperiencë e mirëfilltë restoranti.

Shifra që jashtë sezonit të ngarkuar turistik mund të arrijë rreth tre mijë dollarë për person, për një udhëtim vajtje-ardhje nga Tirana drejt New York-ut, ju garanton një pushim ndoshta edhe me mirë, se ai që ju pret në destinacion!