Murali, Foto: Istinomer

Të rinjtë në Ballkanin Perëndimor e kanë të vështirë të kuptojnë realitetin e tyre dhe të njohin njëri-tjetrin për shkak të mosmarrëveshje të vazhdueshme në të kaluarën, perceptimeve të ndryshme të të kaluarës së afërt dhe problemeve sociale e politike që janë pjesë e jetës së tyre. Ekspertët në Serbi, Shqipëri dhe Mal të Zi konsiderojnë se arsimi i dobët, paragjykimet dhe narrativat që vijnë nga liderët politikë janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në rritjen e nacionalizmit në mesin e të rinjve.

Nga: Jelena Kontic (Mal i Zi), Fjoralba Sinoruka (Shqipëri), Nikolija Codanovic (Serbi)

Një mural i një krimineli të dënuar të luftës, Ratko Mladic, ndau në dysh Serbinë midis atyre që donin ta hiqnin vizatimin e tij nga muri i një ndërtese në kryeqytet dhe të tjerëve që e mbronin ekzistencën e tij në një nga rrugët më kryesore në Beograd. Përplasja rezultoi në protesta dhe ndarje të mëdha midis atyre që e dënojnë dhe atyre që e përkrahin Komandantin e kohës së luftës së Ushtrisë së Republikës Srpska, tani një nga dy njësitë administrative në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ngjarjet e fundit lidhur me muralin rihapën pyetjen për historinë që mësohet në vende të ndryshme të rajonit dhe se si kjo ndikon në perceptimet e çështjeve aktuale politike dhe sociale nga të rinjtë. Në ndjekje të këndvështrimeve dhe identiteteve të tyre, nacionalizmi ofrohet si fletushkë nga strukturat qeverisëse që anojnë nga e djathta në vendet e Ballkanit Perëndimor, ende të ndjeshme pas konflikteve të viteve ‘90-ta. Mundësuar nga mediet e bindura dhe mungesa e masave kritike, ajo që mund të përkufizohet si nacionalizëm etnik ka thelluar ndarjet dhe ka ngritur tensionet midis njerëzve të ndryshëm në rajon, tani duke tërhequr brenda vetes edhe gjeneratat që kanë lindur pas viteve ‘90-ta.

Koordinatori i Programit të Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut me bazë në Beograd, një organizatë që mbledh të rinjtë në Serbi që janë kundër shkeljes së të drejtave të njeriut dhe promovimit të narrativave destruktive në shoqëri, Marko Milosavljevic, shpjegon se duhet të ketë një ndarje të qartë midis nacionalizmit dhe patriotizmit dhe se kjo linjë përcaktuese është në arsyetimin, zotimin dhe dënimin e dhunës ndaj “të tjerëve”.

KUTIA Dy perspektiva për Muralin Mladic

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut synon ta heqë muralin që i thur lavde një krimineli të dënuar lufte – Ratko Mladic – në Ditën kundër fashizmit dhe antisemitizmit. Tubimi ndalohet. Atë ditë, aktivistet Aida Corovic dhe Jelena Jacimovic u arrestuan sepse e gjuajtën muralin me vezë. Ato ditë mund të shihje të rinj në rrugë duke protestuar kundër atij veprimi të policisë, por në anën tjetër të kordonit të policisë kishte të rinj që mbronin muralin dhe i thurnin lavde Ratko Mladic. Ky i ri me ndërrime ruajti vizatimin në mur për ditë dhe net të tëra për më shumë se dy javë dhe e pastroi kur ai sulmohej me vezë ose shënohej me kryq. 

Nacionalizmi është një ideologji që vlerëson përkatësinë në një komb, me një dallim të qartë nga të tjerët. 

Sipas Milosavljevic, nacionalizmi është ideologjia më mbizotëruese tek të rinjtë për shkak të sistemeve arsimore joadekuate; ato nuk lejojnë hapësirë për kujtesë alternative të luftërave të viteve ‘90-ta, dhe politikës së mbajtjes mend që kanë shuar traditën antifashiste të këtyre vendeve.

VIDEO 1 Videoja e pastrimit të muralit – DRIVE

Ivana Vojvodic nga OJQ-ja Juventas e Malit të Zi pajtohet me Milosavljević. 

“Sistemi i arsimit duhet të njohë nevojën për mendim kritik, edukim qytetar dhe edukim mediatik. Ne duhet të kemi programe që duhet të nxjerrin persona që mendojnë lirshëm ose nuk duhet t’i promovojmë ato fare. Këto janë programe me interes për të rinjtë,” tha ajo.

Ivona Vojvodic, Foto: Jelena Kontic

Miljana Pejic, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit Kombëtar të Rinisë në Serbi, tha se nacionalizmi është pasojë e narrativave politike strategjike ndarëse, raportimit joadekuat nga ana e medieve dhe kulturave tradicionale në këto shoqëri.

“Është pasojë e narrativës që ekziston në media, të cilat ende kërkojnë bujë, janë një-dimensionale dhe luftënxitëse. Kjo mënyrë e raportimit për ngjarjet rajonale i kontribuon ndjenjës së pasigurisë te qytetarët, tha ajo, duke shtuar se politikanët shpesh e përdorin një retorikë të tillë. Në këto kushte, është më e lehtë të urresh “të tjerët,” sidomos kur ata nuk e kanë mundësinë që t’i takojnë.

Sipas Akri Cipa, studiues dhe ekspert i politikës së jashtme në Tiranë, nuk ka rritje të nacionalizmit në Shqipëri, por ka mungesë të të kuptuarit dhe njohurive për realitetin në vendet fqinje.

“Fatkeqësisht, ky është një fenomen problematik për tërë rajonin e Ballkanit. Nevojiten më shumë këmbime të të rinjve për të kuptuar plotësisht kushtet në të cilat janë rritur dhe jetojnë tani bashkëmoshatarët e tyre,” tha ai.

Mosnjohja e fqinjëve

Këshilli Kombëtar i Rinisë në Serbi publikon një Raport alternativ vjetor për pozitën dhe nevojat e të rinjve në këtë vend. Pejic thotë se në vitin 2021 u regjistrua një rënie në rëndësinë e kombit dhe kombësisë në mesin e të rinjve për herë të parë në katër vite.

“Çdo i dyti person i ri është i interesuar për temat e nacionalitetit, si zgjidhja e çështjes së Kosovës, situata në rajon ose orientimi i politikës së jashtme të Serbisë. ‘Çdo i pesti person ose 22.7% e tyre janë të interesuar për t’u marrë me të kaluarën dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, dhe është regjistruar një rënie prej gati 10% në krahasim me vitin 2020,” shpjegoi ajo.

Tabela: Interesimi për temat politike, Këshilli Kombëtar i Rinisë në Serbi

Në lidhje me Malin e Zi, ajo tha se religjioni është një ndër faktorët që kontribuojnë në kombin/kombësinë, dhe në këtë rast, nacionalizmi vjen në formën e saj më të dukshme. Për sa i përket Shqipërisë, Pejic vërejti se duke qenë të izoluar për gati 50 vite dhe për shkak të barrierës së gjuhës, shumë të rinj në Serbi i konsiderojnë bashkëmoshatarët e tyre si plotësisht të huaj sepse nuk kanë pasur shansin të takohen me ta.

Në Malin e Zi, çështja me kishën ortodokse ka krijuar një situatë tensioni në shoqëri, duke i përkeqësuar marrëdhëniet në mes vendeve në rajon; ndryshimi i qeverisë në vitin e kaluar krijoi tensione shtesë.

KUTIA Kjo nuk është Serbi – E viva Montenegro

Cetinje ishte qendra e të ashtuquajturave “tubime patriotike” gjatë vitit të kaluar. Kishte protesta kundër qeverisë aktuale dhe këtë verë edhe kundër vendimit për shugurimin e mitropolitit Joanikije në Manastirin e Cetinjes. Situata kulmoi në ditën e shugurimit kur protestuesit/patriotët e bllokuan rrugën për në Cetinje. Protesta u zhvillua me mbështetjen dhe praninë e liderit të Partisë Demokratike të Socialistëve dhe presidentit të asaj partie dhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, Milo Djukanovic. “E viva Montenegro”(Rroftë Mali i Zi), “This is not Serbia” (Kjo nuk është Serbi) dhe “Belvedere” u kënduan dhe patriotët e kaluan natën në qytet. Të rinj nga i gjithë Mali i Zi ishin të pranishëm.

Cetinje është kryeqyteti i Malit të Zi, një simbol i sovranitetit, por edhe selia e mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe (SOC) në Malin e Zi. Shugurimi i Jonaikije në Manastirin e Cetinjes ishte përshkruar si një okupim i Malit të Zi, një përpjekje për të shfuqizuar Asamblenë e Podgoricës të vitit 1918, dhe prezantimin e Malit të Zi në të ashtuquajturën botë serbe.

“Themi se në Malin e Zi, fatkeqësisht, nacionalizmi ka arritur majat në vitin e kaluar dhe, sipas mendimit tim, për herë të parë është krijuar ‘nacionalizmi malazez’. Jemi disi të njohur me nacionalizmin serb, edhe atë kroat dhe shqiptar, por deri më tani, nuk kemi pasur mundësi të themi se ka nacionalizëm malazez,” tha Andrijana Radovic, anëtare e Rrjetit të të rinjve të Malit të Zi, i cili përfshin 35 organizata.

VIDEO CETINJE

“Ne të gjithë mendojmë se serbët janë kështu, kroatët janë ashtu e kështu me radhë, deri sa arrin në një situatë kur i takon personat dhe mëson se ata mendojnë si ti dhe përballen me të njëjtat probleme sikur ti,” tha ajo.

Ekspertja e komunikimeve në Tiranë, Edlira Gjoni, shpjegoi se shumë të rinj në Ballkanin Perëndimor nuk e njohim mirë njëri-tjetrin, ata nuk kanë pasur mundësi për këmbim kulturor.

“Tani a është ky fakti se të rinjtë nuk i njohin fqinjët tanë, dua të them se ky është thelbi se pse mund të ketë shenja të nacionalizmit në sjelljen e rinisë sonë” tha Gjoni, duke shtuar se rinia në Ballkanin Perëndimor ka probleme të përbashkëta, duke përfshirë papunësinë dhe dëshirën për të lënë vendin e tyre.

Duke reflektuar për përvojën e vet para se të bëhej aktiviste për të rinjtë, edhe Radovic e konfirmoi këtë.

“Edhe unë mund të kisha qenë një nacionaliste malazeze. Para se të filloja të merrja pjesë në seminare rajonale, mendoja se njerëzit nga Serbia ishin agresorë, të gjithë kroatët ishin ‘ustashë’, dhe e gjithë kjo më lidhej me diçka diku. Nuk i vë të gjithë serbët në një grup, kam pasur disa situata të pakëndshme në Beograd ku më kanë thënë se ne nuk ekzistojmë si komb dhe ne e dëgjojmë këtë çdo ditë përmes disa kanaleve. Ja pse e kuptoj se çfarë e shkakton zemërimin në disa pjesë të Malit të Zi. Por jo më. Kam marrë pjesë në një seminar dhe atje takova shumë njerëz nga këto vende. U lidha me ta dhe e kuptova se të gjithë ndajmë parimet dhe problemet e njëjta,” pranoi kjo aktiviste për të rinjtë.

KUTIA Këngë nacionaliste në një ndeshje basketbolli

Këndimit nacionalist nuk i shpëton as sporti. Një shembull i kësaj ishte seria e ndeshjeve finale të Ligës rajonale të basketbollit – ABA në vitin 2019 ku Red Star nga Beogradi dhe Buducnost nga Podgorica garonin për kualifikime në ligën Evropiane.

Ky sezon i basketbollit në Ballkan ishte shënuar me trazira në bankina dhe në fushën e basketbollit. Në një nga paraqitjet mysafire në BG, fluturuan karrige dhe objekte të tjera, me huliganët që këndonin “Kill the Shiptar” (Vriteni Shiptarin) dhe lojtarët që ishin detyruar të tërhiqeshin nga fusha. Në ndeshjen para asaj në Podgoricë, djali i Ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Mevludin Nuhodzic, Amar Nuhodzic, kishte hyrë në fushën e Qendrës Sportive Morača dhe kishte pështyrë lojtarët e Red Star.

Një nga konkluzionet e studimit “Të ardhme të përbashkëta: Perceptimet e të rinjve për paqen në Ballkan,” publikuar nga UNDP dhe RYCO, ishte se në rajon diskurset etniko-nacionaliste, që shënohen me mungesë dialogu konstruktiv dhe narrativa konkurruese për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, kanë forcën që të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet fqinjësore.


Flamujt e Serbisë dhe Malit të Zi, Foto: Jelena Kontic

“Kur nacionalizmi në një grup të caktuar është më i fortë, atëherë ke përgjigjet e grupeve të tjera në të cilat një nacionalizëm i caktuar mund të ketë lindur diku, por fuqizimi i një nacionalizmi, sidomos në shtetin e Malit të Zi, padyshim që do të thotë fuqizim i të gjithë të tjerëve. Mendoj se është shumë e rrezikshme si për të rinjtë ashtu edhe për të gjithë ne,” tha Vojvodic.

Rigels Xhemollari, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës vendore “Qëndresa Qytetare” që fokusohet në punën me të rinjtë dhe arsimimin e tyre, tha se faktori më i rëndësishëm që formëson marrëdhëniet dhe perceptimet e të rinjve për vendet fqinje është mungesa e arsimit në shkolla për njëri-tjetrin, përfshirë edhe shqiptarët e Shqipërisë që dinë pak për Kosovën.

“Në fakt, rinia shqiptare, për shkak të teksteve të dobëta të historisë në shkolla dhe përfshirjes së pakët të vendeve fqinje dhe marrëdhënieve historike, diplomatike dhe politike, dinë shumë pak për këto vende,” shpjegoi ai.

Histori e përbashkët, probleme të përbashkëta, nacionalizëm i përbashkët

Akri Cipa mendon se konteksti historik ka një rol të madh në Ballkanin Perëndimor.

“Ka kontekste historike dhe sentimente që kanë kontribuar drejt kësaj dhe kjo është tipike për të gjitha vendet e Ballkanit,” vërejti ai.

Elementet historike kanë kontribuar që personat ta shohin secilin vend me sy tjetër. Me një popullsi shumicë shqiptare, Kosova, që dikur ishte krahinë e Serbisë dhe deklaroi pavarësinë e saj në vitin 2008, pas luftës në vitin 1998-1999, ka qenë gjithmonë një çështje që është parë ndryshe nga të dy vendet: shqiptarët që thonë se është një “territor shqiptar” dhe serbët që thonë të njëjtën gjë. Të dy vendet po ashtu kanë ushqyer idenë e “Shqipërisë së madhe,” e cila do të thotë “bashkim i të gjitha tokave shqiptare në një shtet” dhe asaj të “Serbisë së madhe” që do të thotë të njëjtën gjë për serbët. Të dy këto ide kanë krijuar tensione dhe keqkuptime midis njerëzve të zakonshëm, që çon te konsiderimi i njëri-tjetrit si kërcënim dhe rrezik. Dhe kjo është një mënyrë për të rritur distancën etnike midis personave dhe kombeve e që mund të çojë në konflikte etnike. 

KUTIA 2 Flamuri i “Shqipërisë së madhe” në ndeshjen e futbollit

Në tetor 2014 në Stadiumin Partizan në Beograd, ekipi kombëtar i futbollit i Serbisë luajti kundër ekipit kombëtar të Shqipërisë për kualifikim në UEFA Euro 2016. Ndeshja u ndërpre pas disa incidenteve. Loja u ndërpre drejt fundit të pjesës së parë kur një dron u shfaq mbi fushë, duke tërhequr një banderolë me një flamur shqiptar dhe një hartë të “Shqipërisë së madhe” duke shprehur pretendime nacionaliste mbi shtetet fqinje, përfshirë Serbinë.

Një futbollist serb tërhoqi poshtë flamurin, të cilin disa lojtarë shqiptarë pastaj u munduan ta marrin. Pasoi një përleshje konfuze me përfshirjen e shumë lojtarëve.

Ivana Vojvodic tha se te njerëzit në Malin e Zi “përfundimisht ka një zgjim të nacionalizmit tek të rinjtë. Është e dukshme, shpjegoi ajo, në interesimin e të rinjve…”

“Kjo mund të shihet në mënyrën se si të rinjtë sillen, llojin e muzikës që dëgjojnë, çfarë theksohet në tubimet e tyre, festat, madje edhe në ngjarjet shkollore, ndonëse gjithnjë e më shumë në zhargonin dhe gjuhën që ata përdorin, mënyrën se si i shprehin mesazhet e tyre si përmes grafitit ose në pjesëmarrjen e tyre në disa tubime që kanë konotacion nacional ose religjioz”- paralajmëroi kjo aktiviste.

Radovic kujtoi disa situata të diskutueshme në Malin e Zi:

“Kemi një rast kur në Cetinje janë kënduar këngët e Thompson, kemi edhe një festim në Tuzi ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte brohoritur. Në Ulqin, pjesa më e madhe e banorëve të Ulqinit nuk duan të të drejtohen në gjuhën malazeze, por në gjuhën shqipe… Shpalosja e flamujve të tjerë në aspektin e theksimit të identitetit tjetër është problem, dhe do të jetë edhe më shumë problem nëse e lejon atë shqiptar por jo atë serb… Kemi disa të rinj që me krenari i përmendin dhe lavdërojnë kriminelët e luftës. Në anën tjetër, kemi pasur edhe persona që kanë përkrahur Krsto Zrnov Popović në një tubim në Cetinje, ndonëse ata e paraqesin atë si hero,” thotë Radović.

Kur vjen te muzika, një incident që ndodhi në gusht 2021 ishte një shfaqje interesante e këndvështrimeve të ndryshme dhe një çështje e narrativës nacionaliste. Këngëtari serb, Goran Bregovic, ishte ftuar që të këndojë në një festival lokal në Korçë, në Shqipëri. Rrjetet publike dhe sociale bënin thirrje për ndalimin e performancës së tij, duke thënë se ai ka frymëzuar masakrat gjatë luftës së Kosovë. Të gjithë artistët nga Kosova që ishin të ftuar u tërhoqën nga festivali. Një grup i njohur i fansave të futbollit, “Tifozat Kuq e Zi,” u bënë thirrje disa herë autoriteteve që kjo të anulohet dhe thanë se do të bënin gjithçka që “ta anulonin vetë”.

Sidoqoftë, koncerti u mbajt, por rezultoi në arrestimin e një personi që gjuajti gaz lotsjellës gjatë eventit.

Duke vënë në pikëpyetje diskursin e të rinjve për vlerat Marko Milosavljevic theksoi:

“Në këtë mënyrë Dragoljub Mihajlovic dhe pasardhësi i tij Ratko Mladic janë heronj kombëtar të sotëm. Sepse autoritetet dërgojnë mesazhe të paqarta – deklarative, që kanë për synim të promovojnë paqen dhe të bashkohen në BE, ndërsa e kundërta është evidente – lavdërimi i bashkëpunëtorëve dhe kriminelëve të luftës.”

Bazuar në studime, intervista me ekspertë dhe të rinj, nacionalizmi dhe mosnjohja e njëri-tjetrit, vendet pa perceptime të bazuara, janë ende të pranishme në shoqërinë moderne në Ballkanin Perëndimor.

Narrativa politike e shtyrë nga liderët politikë që përfshin elemente të nacionalizmit, dëmton marrëdhëniet në mes vendeve dhe njerëzve. Mungesa e arsimimit të duhur, mungesa e udhëtimit dhe e marrëdhënieve të punës kontribuon edhe më shumë në forcimin e perceptimeve ekzistuese.