Barcelona u rikthye në fushën e lojës mbrëmjen e djeshme, ku fitoi me rezultatin 0-4 në “San Moix” ndaj Mallorcs, por në minutën e 53-të ndodhi një episod i papritur, që shkaktoi ilaritet dhe ndërprerje të lojës për pak çaste.

Një djalë biond, me fanellën e Argjentinës dhe emrin e Lionel Messit mbi shpinë, kishte arritur t’u shpëtonte rojeve të sigurisë dhe të futej në stadium, ndërsa në minutën e 53-të depërtoi në fushë, ku u ndal fillimisht për të bërë një selfie me mbrojtësin Jordi Alba.

Më pas nisi vrapimin e tij drejt Messit, por nuk arriti të mbërrijë te ylli argjentinas, pasi ndërhynë forcat e sigurisë, të cilët e kapën dhe e shoqëruan në ambientet e jashtme të stadiumit, ndërsa i riu komentoi edhe arsyet pse e kishte ndërmarrë këtë vendim.

“Jam një fans i Lionel Messit dhe doja patjetër një foto dhe një autograf prej tij, por nuk ia dola. Kur më kapën policët, mu desh të fshija edhe foton me Jordi Albën, kështu që nuk ia vlejti mundimi”, tha djaloshi spanjoll pas ndeshjes.