Luigi Mangione, i dyshuar për vrasjen e drejtuesit ekzekutiv të kompanisë së sigurime shëndetësore ‘UnitedHealth Group’, Brian Thompson, mund të dënohet me vdekje.

Prokurorët federalë mund të kërkojnë dënimin me vdekje për akuzën e vrasjes, një dënim që është hequr në New York prej dekadash. Të enjten ndaj tij u ngritën 4 akuza. Prokurorët në Manhatan kanë akuzuar 26 vjeçarin për vrasje me armë zjarri, dy akuza për përndjekje dhe për përdorimin e armës.

Po kështu, Luigi Mangione akuzohet se ka planifikuar prej muajsh vrasjen, i nxitur nga urrejtja për industrinë e sigurimeve shëndetësore dhe drejtuesit e pasur të korporatave.

Luigi Mangione u dërgua në mjediset e paraburgimit të New Yorkut të enjten, nga Pensilvania, shteti ku u arrestua pas një operacioni pesëditor. Ai zbriti nga një helikopter shoqëruar nga një grup i madh policor.

Teksa vrasja e Thompson është dënuar gjerësisht, Luigi Mangione është cilësuar si një hero nga disa amerikanë, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për kostot e larta të kujdesit shëndetësor.