Trajneri i Paris Saint Germain, Luis Enrique, thotë se Kylian Mbappe është lojtari më i mirë në botë pas paraqitjes së tij kundër Borussia Dortmund.

Mbappe ishte protagonist në premierë të fazës së grupeve të Champions League në triumfin 2-0 kundër Dortmund në në “Parc des Princes”.

Reprezentuesi francez e çoi skuadrën e tij në avantazh nga penalltia në minutën e 49-të, përpara se Achraf Hakimi të dyfishonte epërsinë për të siguruar tri pikët.

Luis Enrique lartësoi Mbappe dhe zbuloi se çfarë e ka habitur më shumë nga sulmuesi 24-vjeçar.

“Për mua, Kylian është lojtari më i mirë në botë, por mbi cilësitë e tij teknike, ajo që më ka impresionuar është cilësia e tij njerëzore. Është kënaqësi ta shoh atë në dhomën e zhveshjes. Ai është një lider dhe gjithmonë ka një buzëqeshje”, u tha Luis Enrique gazetarëve pas ndeshjes.

Mbappe ishte i ngrirë nga skuadra e PSG-së gjatë gjithë verës, me sulmuesin që refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të re me klubin. Megjithatë, ka arritur një formë të shkëlqyer që nga rikthimi në formacionin titullar, me tetë gola në vetëm pesë paraqitje në të gjitha garat.