5 qershor 2015 – Luiza Gega renditet e teta në Diamond League të Romës duke dhuruar një tjetër provë pozitive në garën e 1500 metrave për femra. Atletja shqiptare, që është bërë tashmë e zakonshme në turnetë e mëdhenj të atletikës, e mbylli garimin e saj në finale me kohën e 4 minuta 3 sekonda e 1 të qindtat, që është dhe koha e saj e dytë më e mirë në këtë disiplinë, pas rekordit kombëtar të vendosur në Doha, gjatë muajit maj, po në garën e Diamond League.
Gega deri në 100 metrat e fundit ishte e 6-ta madje në garë, por lodhja bëri të sajën me Luizën që e mbylli në vendin e tetë duke lënë mbrapa emra të mëdhenj të atletikës si Mischenko të Ukrainës apo dhe Arafi të Marokut. Një paraqitje që konfirmon formë të mirë për atleten shqiptare, e cila prej vitesh është padyshim sportistja më e suksesshme shqiptare. Ndërkohë sa i përket garës së Romës, ajo u fitua nga ana e amerikanes, Jenny Simpson që rriti ritmin në metrat e fundit duke lënë pas holandezen Hassan dhe etiopianen, Dawit Seyaum që kishte regjistruar dhe rezultatin më të mirë të vitit.
/agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/