15 qershor 2015 –Atletja shqiptare Luiza Gega u rendit e teta në garën e 1500 metrave në “IAAF World Challenge” të Rabatit, në Marok, duke e ndalur kronometrin në kohën 4 minuta, 7 sekonda e 95 të qinda.

Edhe pse u përpoq të ishte një konkurrente e denjë deri në metrat e fundit, Gega nuk tregoi më të mirën e saj. Nga 12 pjesëmarrëset në këtë garë vendi i parë shkoi për Sofia Ennaoui me 4’05”64, çka tregon se ritmi i garës nuk ka qenë ai që pritej. Në Rabat Gega zhvilloi garën e katërt ndërkombëtare brenda një muaji, pas Dohës, Pekinit e Romës dhe ajo që bie në sy është se atletja kampione e Shqipërisë nuk po përsërit paraqitjen e parë sezonale, në Katar. Gjithsesi, kjo garë ishte një test i mirë për Gegën në prag të Olimpiadës Europiane të Bakusë. Luiza Gega së bashku me trajnerin e saj Taulant Stërmasi do të udhëtojnë drejt Azerbajxhanit këtë javë, ku në “Baku 2015” do të garojë në 800 dhe 1500 metra. Rekordmenja e Shqipërisë ka premtuar medalje në këto dy disiplina.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/