Viti 2017 ka nisur në mënyrë të jashtëzakonshme për Luiza Gegën. Atletja shqiptare vazhdon të koleksionojë medalje në mitngjet e ndryshme europiane, ndërsa këtë të premte triumfoi në Mitingun Ndërkombëtar të Sallave të Mbyllura në Stamboll të Turqisë.28-vjeçarja fitoi garën e 1,500 metrave, duke marrë edhe medaljen e artë. Në suksesin e arritur, atletja dibrane regjistroi kohën 4:06:65, që është edhe një rekord i ri kombëtar në këtë disiplinë. Gega përmirësoi me 24 të qindtat rekordin e mëparshëm kombëtar të 1,500 metrave, të cilin e mbante po ajo vetë.

Turneu në Stamboll ishte i treti për atleten kuqezi në këtë fillim viti me medaljet që nuk kanë munguar në asnjë rast. Fillimisht kampionia shqiptare fitoi medaljen e argjendit në garën e 1,500 metrave në Mitingun Ndërkombëtar të Ostravës, në Republikën Çeke.Vetëm një javë më parë, Luiza Gega kishte marrë një tjetër medalje, këtë herë të bronztë në Paris, ku me kohën e regjistruar në kryeqytetin francez theu rekordin kombëtar të garës së 3,000 metrave për salla të mbyllura, që rezistonte prej 21 vjetësh.