21 maj 2014 – Luiza Gega renditet e treta në mitingun e përvitshëm IAAF World Challenge të Pekinit, duke thyer ndjeshëm rekordin kombëtar në garën e 1.500 metrave. 25-vjeçarja durrsake mbetet krenaria e atletikës shqiptare dhe duke u matur gati – gati me atletet më të mira të botës edhe rezultatet e saj po përmirësohen gjithmonë e më shumë. Duke patur parasysh vështirësitë e “mbretëreshës së sporteve” në vendin tonë rezultati është vërtet sensacional dhe për më tepër në një event që është pjesë e kalendarit të IAAF World Challenge, që në fakt renditet vetëm një shkallë më poshtë sesa Diamond League, aktivitet që konsiderohet njëkohësisht si kategoria elitare e atletikës botërore.
Në Stadiumin Kombëtar të Pekinit, stadium që mbajti gjithë peshën e atletikës në Lojërat Olimpike të vitit 2008, atletja shqiptare zhvilloi një garë të shkëlqyer duke siguruar podiumin në garën e 1.500 metrave. Koha e saj është 4’03”12 dhe tashmë Luiza Gega përmirëson me plot 2” rekordin e vjetër shqiptar, që mbahej pikërisht prej saj. Rekordi i mëparshëm në garën e 1.500 metrave ishte vendosur nga atletja durrsake vitin e kaluar në Poloni, në Szczecin, me kohën 4’05”11, e në vetvete edhe ajo kohë konsiderohej si një kohë e mirë për nivelin e atletikës tonë.
Për të kuptuar se ku renditet koha e arritur nga Luiza Gega në Pekin krahasuar me nivelet më të larta të atletikës bashkëkohore mjafton të përmendim faktin se rekordi i ri kombëtar do të mjaftonte për t’i dhënë mbretëreshës së atletikës shqiptare medaljen e bronzit në kampionatin e fundit botëror, që u zhvillua gushtin e kaluar, në Stadiumin Luzhniki të Moskës, pasi e treta në atë kompeticion u pozicionua atletja keniane Hellen Onsando Obiri, me kohën 4’03”86. Ndërkaq për të guxuar ca më shumë mjafton të përfytyrojmë medaljen e artë, që në Botërorin rus u fitua me një kohë vetëm 0,5” më të shpejtë, nga atletja suedeze me origjinë nga Etiopia, Abeba Aregawi.
Gara në mitingun e Pekinit u fitua nga atletja nga Maroku Rababe Arafi, me kohën 4’02”71 ndërsa e dyta u pozicionua atletja etiopiane Gudaf Tsegay, me kohën 4’02”83. Arritjet më të mëdha të saj deri më tani konsiderohen, vendi i katërt në Lojërat Mesdhetare të vitit 2013, në Mersin të Turqisë, në garën e 800 metrave, ndërsa përsa i përket sallave të mbyllura sivjet Luiza Gega siguroi vendin e parë në Kampionatin ballkanik të Stambollit, pikërisht në garën e 1.500 metrave.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





