Një garë e penalizuar nga dëmtimi në tendinë. Përfundimisht kështu mund të konsiderohet ajo e Luiza Gegës në debutimin e saj Olimpik në Rio, ku atletja shqiptare u rendit e 16-ta në baterinë e dytë kualifikuese të garës së 3000 metrave me pengesa ku konkuronin 18 sportiste. Luiza Gega eliminohet kështu që në këtë raund duke mos u kualifikuar në finale, pasi ndali kronometrin me kohën 9’58”49 , plot 30 sekonda më shumë se pak javë më parë kur pikërisht në këtë garë fitonte Medaljen e Argjendit në Kampionatin Europian, që u zhvillua në Amsterdam.Në klasifikimin final Luiza Gega u rendit e 48-ta ndër 52 atlete, që konkuronin në 3 bateritë kualifikuese për finalen. Ashtu sic kishte paralajmëruar edhe në postimin e saj në “Facebook” pak orë para garës, Gega nuk ishte në 100 % të formës së saj, 27-vjecarja e nisi në mesin e turmës por shumë shpejt filloi të mbetej pas dhe pas 1000 metrave të parë, kur mbeteshin edhe 5 xhiro ishte në grupin e fundit duke lënë pas vetëm dy atlete nga 18 konkurueset. Pozicion që ia arriti ta ruajë deri në fund kur i duhej të shtrëngonte dhëmbët për të mbyllur garën, tjetër provë e problemeve fizike.Një dëbutim aspak ekzaltues ky në Olimpiadë për një ndër sportistet më të mira shqiptare, i cili padyshim ka nevojë për reflektim edhe për kushtet që i janë rezervuar asaj që konsiderohej si sportistja më premtuese në Olimpiadën e Rios nga ekipi shqiptar nga shteti dhe organet kompetente në vend.Me konkurimin e Luiza Gegës mbyllet edhe aventura e ekipit shqiptar në Rio, me atletin tjetër Izmir Smajlaj që u rendit i 21 në garën e kërcimit së gjati duke mos arritur të kualifikohet në fazën finale. Për sa i përket rezultateve të tjera, peshëngritësi Briken Calja u rendit i 6-ti në Olimpiadë në kategorinë 69 kilogram duke ngritur 326 kilogram në dygarësh, ndërsa peshëngritësja tjetër Evangjeli Veli u rendit e 8 në kategorinë 53 kg për femra, për sa i përket notit në garën e 100 metrave stil i lirë Nikol Merizaj u rendit e 43 në Olimpiadë, ndërsa Sidni Hoxha edhe pse fitoi në baterinë e tij në 50 metra stil i lirë në klasifikimin final u rendit i 41 duke mos arritur të kualifikohej.