Luiza Gega hyri në histori në vitin 2016 duke u bërë atletja e parë shqiptare që fitoi një medalje në Kampionatin Europian të Atletikës.

Gjashtë vite më vonë, në vitin 2022, në moshën 34-vjeçare, ajo realizoi një tjetër arritje të jashtëzakonshme, duke i dhuruar Shqipërisë medaljen e parë të artë në historinë e këtij kompeticioni. Në prag të Kampionatit Europian të Atletikës “Birmingham 2026”, që do të zhvillohet nga 10 deri më 16 gusht, rikthehemi te 26 momentet më magjike të historisë së këtij eventi, mes të cilëve spikat triumfi historik i Gegës në garën e 3000 metrave me pengesa në vitin 2022.

Federata Europiane e Atletikës i ka kushtuar një artikull legjendës së sportit shqiptar, duke e përfshirë mes momenteve më epike që ka prodhuar kompeticioni më prestigjioz kontinental i mbretëreshës së sporteve.

HISTORIA Si një nga vendet më të vogla të Europës, Shqipëria nuk kishte fituar asnjë medalje në Kampionatin Europian të Atletikës përpara vitit 2016. Madje, për shumë vite, pjesëmarrja shqiptare në këtë aktivitet ishte minimale. Në vitin 2006, Shqipëria mori pjesë me vetëm dy atletë: Klodiana Shalën në garën e 200 metrave për femra dhe Admir Bregun në kërcimin së gjati për meshkuj. Shala nuk arriti të startonte në eliminatore, ndërsa Bregu nuk regjistroi një rezultat të vlefshëm. Katër vite më vonë, në Kampionatin Europian të Barcelonës, Shqipëria dërgoi tre atletë, mes tyre për herë të parë edhe Luiza Gegën, një delegacion i konsiderueshëm për një vend kaq të vogël. Gega u rendit e 13-ta në baterinë e 1500 metrave, ndërsa Adriatik Hoxha dhe Dorian Çollaku përfunduan respektivisht në vendin e 24-t dhe të 30-të në hedhjen e gjyles dhe hedhjen e çekiçit. Në vitin 2014, Gega kishte filluar të afirmohej në arenën ndërkombëtare. Ajo u rendit e gjashta në Kampionatin Botëror “Indoor” në garën e 1500 metrave dhe triumfoi në Divizionin e Tretë të Kampionatit Europian Ekipor. Megjithatë, në Kampionatin Europian të po atij viti nuk arriti të kalonte eliminatoret, duke përfunduar e nënta në baterinë e saj.

ÇFARË NDODHI? Finalja e 3000 metrave me pengesa ishte gara e fundit e ditës së gjashtë. Stadiumi olimpik i Mynihut ishte i mbushur plot dhe atmosfera elektrizuese, ndërsa atletet u rreshtuan krah për krah në vijën e nisjes. Me krismën e armës së startit, Gega, atletja më shtatshkurtër e finales, mori menjëherë kryesimin, me rivalet që e ndiqnin nga afër. Xhiro pas xhiroje, ajo ruajti qetësinë dhe ritmin, duke e zgjeruar gradualisht diferencën me pjesën tjetër të grupit. Britanikja Elizabeth Bird qëndroi pranë saj për pjesën më të madhe të garës, por pas kalimit të minutës së shtatë filloi të humbiste terren, duke i dhënë mundësi gjermanes Lea Meyer ta parakalonte. Në xhiron e fundit, Gega gjeti edhe më shumë energji. Ajo u shkëput bindshëm, duke krijuar një epërsi prej më shumë se 20 metrash dhe fluturoi drejt vijës së finishit. E shtyrë edhe nga ovacionet e publikut, atletja shqiptare preku finishin me kohën 9:11.31, duke vendosur rekord të ri të Kampionatit Europian. E pushtuar nga emocionet, Gega u gjunjëzua menjëherë pas vijës së finishit për të shijuar atë moment historik. Më pas u ngrit dhe u mbështoll me flamurin kuqezi, duke festuar medaljen e parë të artë europiane në historinë e atletikës shqiptare dhe duke shënuar një prej momenteve më të mëdha për historinë e sportit shqiptar. Lea Meyer fitoi medaljen e argjendtë me rekord personal 9:15.35, ndërsa Elizabeth Bird kompletoi podiumin me medaljen e bronztë, duke regjistruar kohën 9:23.18.

PAS TRIUMFIT “Jeta ime nuk është e lehtë”, deklaroi Gega një vit më vonë. “Stërvitem gjatë gjithë kohës e vetme. Qëndroj larg shtëpisë, larg familjes dhe miqve. Nuk kemi një grup stërvitor, ndaj nga ana mendore është shumë e vështirë. Kur kam kohë të lirë, nuk kam miq me të cilët të dal për të ngrënë apo për të pirë një kafe. Miku im më i mirë është telefoni. Kjo më lodh dhe ndonjëherë mendoj se duhet të ndalem e të jetoj një jetë normale”, rrëfeu ikona e sportit në Shqipëri, e cila kujtoi edhe fillimet e karrierës: “Deri në moshën 19-vjeçare nuk isha një atlete e mirë. Vrapoja thjesht për qejf. Kur fillova universitetin, i thashë vetes: ‘Tani duhet të zgjedh, do të përqendrohem te studimet apo te sporti?’. Isha shumë prapa vajzave të tjera dhe i thashë trajnerit tim: ‘Nuk do të vij më të garoj kështu’. Unë përfaqësoj veten, por edhe ngjyrat e vendit tim dhe doja të isha konkurruese. Që nga viti 2011 fillova të stërvitem me shumë seriozitet”. Duke kujtuar momentin e artë të Mynihut, Luiza shtoi: “Njerëzit më pyesnin pse qava pasi fitova medaljen e artë europiane. Jo të gjithë e dinë sa e vështirë ishte rruga për shumë vite. Shumë më thanë: ‘Qamë bashkë me ty’, sepse ndienin krenari të madhe. Ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë. E nisa nga hiçi. Ne nuk jemi si vendet e mëdha që kanë kampionë dhe idhuj për t’u ndjekur. Unë kam ndjekur vetëm veten, duke u përpjekur të bëhem çdo ditë më e mirë”. Në vitin 2023, Gega fitoi garat e 5000 metrave dhe 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian Ekipor, duke u bërë atletja më e suksesshme në historinë e këtij kompeticioni. Po atë vit, ajo u rendit e shtata në Kampionatin Botëror të Budapestit me kohën 9:10.27. Në vitin 2024, Gega përfundoi e pesta në Kampionatin Europian me kohën 9:22.92. Më pas mori pjesë në Lojërat e saj të treta Olimpike, ku u rendit e nënta në baterinë eliminatore.