Atletja shqiptare Luiza Gega ka zënë vendin e parë në bateritë eliminatore të garës së 3000 metrave me pengesa, të vlefshme për Kampionatin Europian të Atletikës që po zhvillohet në Amsterdan të Holandës.
Gega garoi në baterinë e dytë, duke dhënë kohën 9’38″87, kohë që i dha asaj mundësinë të kualifikohet për në finalen që do të zhvillohet nesër pasdite (9’32”95 koha e saj më e mirë, që është edhe rekord kombëtar).
Atletja kuqezi u rendit në vendin e parë në Baterinë e dytë mes 14 garueseve, në një garë ku ajo ishte gjithnjë në kryesim (pesë vendet e para kualifikoheshin direkt).
Madje koha e Gegës ishte koha më e mirë në bateritë eliminatore, duke lënë të shpresosh për medalje nesër në finale.
Në këtë Europian garoi edhe atleti shqiptar Izmir Smajlaj në kërcim së gjati, duke u kualifikuar për në finale, ku u rendit në vendin e nëntë.





