Luka Modric dëshiron të luaj ende dhe e ardhmja e tij do të jetë larg Real Madridit.

Carlo Ancelotti i ka ofruar mesfushorit kroat të bëhet pjesë e stafit të tij teknik tek “Los Blancos”, por Modric e ka refuzuar këtë ofertë.

38-vjeçari nuk do ti japi fund karrierës së tij si lojtar, dhe po mendon për një aventurë të re.

Kroatit i përfundon kontrata në fund të sezonit dhe është i lidhur me një largim nga Real Madridi pas një periudhe 12-vjeçare, ku fitoi gjithçka në karrierën e tij, përfsirë edhe trofeun prestigjoz “Topi i Artë”.

Gazeta “Relevo” raporton se 38-vjeçari ka refuzuar propozimin e trajnerit Ancelotti dhe po sheh me interes një transferim në Serie A.

Mbetet të shihet se çfarë do të sjell merkato e verës për maestron e mesfushës, por e sigurt është se nuk do të jetë pjesë e planeve të Realit.

Interes për të kanë shfaqur edhe klube nga Arabia Saudite, por për momentin Modric nuk e ka menduar t’i bashkohet yjeve si Benzema, Ronaldo apo Neymar që zgjodhën ligën saudite.