Manchester United duket se është fituesi i garës për Romelu Lukaku. Sipas britanikes “Sky Sports UK”, sulmuesi belg do të transferohet nga Evertoni te “Djajtë e Kuq” për plot 85 milionë euro.Kjo është shifra e jashtëzakonshme që Jose Mourinho do të paguajë, edhe pse drejtuesit në “Goodison Park” njoftojnë se marrëveshja ende nuk mund të quhet e mbyllur.24-vjeçari ishte edhe një prej objektivave kryesorë të Antonio Contes në merkato, që kërkonte ta rikthente në “Stamford Bridge”.
United i parakaloi blutë e Londrës pikërisht në finish. Gara e humbur lidhet me faktin se Chelsea u frenua disi, për shkak se pret që të finalizojë largimin e Diego Costas drejt Atletico Madrid.Tashmë fjalën e fundit e kanë drejtuesit e Evertonit, të cilët e kanë bërë të qartë edhe në të kaluarën se Lukaku do të largohej nga skuadra vetëm për një shifër të parezistueshme.Belgu është përzgjedhur nga Jose Mourinho si pasardhësi i Zlatan Ibrahimovic në “Old Trafford”. Sezonin e kaluar, Romelu Lukaku e mbylli me 25 gola të shënuar në Premier League: shifër që jep garanci për “Djajtë e Kuq”.