Roma vuan por fiton me përmbysje 2-1 ndaj Lecces në kryeqytet, në një përballje tejet të luftuar. Ekipi i Mourinhos e nisi ndeshjen me ritmin e duhur, duke kërkuar golin që në minutat e para. Vendasit fituan penallti në minutën e pestë, 11-metërsh ky i konfirmuar edhe nga sistemi VAR.

Nga pika e bardhë e penalltisë gaboi Romelu Lukaku, me portierin Wladimiro Falcone që kuptoi belgun dhe neutralizoi sferën. Në minutën e 72-të, suedezi Pontus Almqvist shndërron në gol një penallti në lëvizje, pas një asisti të Banda-s. Për Leccen luajti titullar Ylber Ramadani, i cili kreu si duhet detyrat në mesin e fushës.

Sardar Azmoun, sulmuesi nga Irani riktheu Romën në lojë me golin e tij në të 90-tën. Koha premtoi edhe për një aksion të fundit, me Romelu Lukakun që rregulloi gabimin e bërë dhe përmbysi llogaritë në 2-1!