Lideri bjellorus, Aleksandër Lukashenko, ka deklaruar se shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, më ndodhet më në Bjellorusi.

Lukashenko u tha gazetarëve të enjten se sa i përket Prigozhinit, ai gjendet në Shën Petersburg. “Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë”-tha Lukashenko.

Një avion, që është i lidhur me biznesin e Prigozhinit, u largua nga Shën Petersburgu dhe u nis drejt Moskës të mërkurën, ndërkaq të enjten ky avion po fluturonte në jug të Rusisë. Kështu bëhet e ditur sipas gjurmimit të të dhënave të fluturimeve, por ende nuk është e qartë nëse shefi i Wagner-it ndodhej në bordin e këtij avioni.

Lukashenko tha se oferta që i ka bërë Wagner-it që të stacionojë disa nga luftëtarët e tij në Bjellorusi –paralajmërim që ka alarmuar shtetet fqinje të NATO-s – ende qëndron.

Ai tha se nuk sheh ndonjë rrezik për Bjellorusinë dhe se nuk beson që luftëtarët e Wagner-it do të luftonin kundër shtetit të tij.

Kujtojmë se Lukashenko ndërmjetësoi një marrëveshje që i dha fund rebelimit të armatosur në Rusi më 24 qershor.