Slavko Lukiç mund të mos jetë më pjesë e skuadrës së Teutës, pasi lojtari ka kërkuar lejekalimin nga klubi durrsak. Mbrojtësi 26-vjeçar, i cili u bë pjesë e Teutës në merkaton e verës, mund ta mbyllë me kaq aventurën me “Djemtë e detit”, ndërsa destinacioni i tij mendohet të jetë jashtë Shqipërisë.

Lukiç u aktivizua në 14 ndeshje me Teutën në pjesën e parë të kampionatit, teksa rendimenti i tij erdhi në rritje nga ndeshja në ndeshje, duke u bërë pjesë e rëndësishme e skemave të trajnerit Magani. Mbrojtësi ka arritur të shënojë edhe një gol me mjaft vlera në sfidën e fundit të fazës së dytë ndaj Partizanit, teksa shënoi pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi golin tripikësh që riktheu në vendin e tretë Teutën.

Pas largimit të Viktor Kukës, ky mund të jetë largimi i dytë në kampin durrsak, edhe pse lojtari ka kontratë deri në fund të sezonit dhe nuk dihet ende përgjigjja e klubit durrsak, ndërsa deri më tani nuk është lajmëruar zyrtarisht asnjë përforcim, edhe pse klubi po punon për afrimin e një sulmuesi me rendiment të lartë para porte.